Lidhje

E ardhmja e Maidanit


Shtatë muaj pasi ish-Presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych la vendin, pas demonstratave masive në Sheshin Pavarësia në Kiev, kampi i protestave ende zë qendrën e qytetit. Aktivistët thonë se prania e tyre e vazhdueshme është ende e nevojshme por shumë banorë lokalë duan që sheshi të spastrohet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Kievi për tensionet në rritje në atë vend.

Aty ku ishte vija e frontit në betejën për Sheshin Pavarësia të Kievit, aktivistja Svitlana dhe miqtë e saj kanë mbjellë një kopsht me perime.

Megjithëse paqja është rikthyer në Kiev, Svitlana thotë se kjo nuk do të thotë se protestat në Maidan duhet të ndalen.

“Ne kërkojmë një spastrim të përgjithshëm, për të shpëtuar nga zyrtarët e korruptuar dhe një hetim të plotë të hapjes zjarr mbi protestuesit në Maidan”.

Mbi 100 protestues në Sheshin Pavarësia u vranë kur forcat e sigurisë hapën zjarr në janar.

Protestat sollën si rezultat përmbysjen e Presidentit Viktor Yanukovych. Ukraina zgjodhi një udhëheqës të ri, Petro Poroshenko në maj. Shumë banorë në Kiev, si Valya, që punon në një dyqan, thotë se ka ardhur koha për të parë përpara.

“Si banorë të Kievit, ne i mbështetëm protestuesit, u dhamë rroba dhe ushqim. Ne menduam se ishte e nevojshme, prandaj ndihmuam. Por tani nuk mendoj se Maidani e ka më atë rol. Nuk na çon asgjëkundi”.

Banorët ankohen se Sheshi Pavarësia është kthyer në një strehë për krimin. Kryetari i Bashkisë së Kievit, protagonisti i opozitës Vitaliy Klitschko i tha Zërit të Amerikës se kampi i protestës së Maidanit, nuk i shërben më asnjë qëllimi.

“Banorët e Kievit po dhurojnë para që përdoren për të blerë jelekë anti-plumb që mungojnë në zonat e konfliktit në lindje. E megjithatë burrat veshin jelekë anti-plumb në Maidan? Kjo është pyetja e parë që do përgjigje. E dyta është se pse herë pas here dëgjojmë të shtëna, dëgjojmë për vjedhje dhe sulme kundër medias”.

Shumë banorë të Kievit thonë se ka ardhur koha që të hiqet dorë nga pushtimi i Sheshit të Pavarësisë, që të kthehet normaliteti. Por shumë njerëz që akoma dalin aty këmbëngulin se revolucioni nuk ka përfunduar dhe se ka ende punë për të bërë.

Mes tyre është edhe analisti politik Valerii Pekar, i organizatës Forumi Ndërkombëtar për Ukrainën. Ai thotë se shumë nga protestuesit më të rinj të Maidanit, kanë lënë Kievin për të luftuar kundër separatistëve pro-rusë në lindje, përkrah forcave qeveritare ukrainase.

“Aktivistët e Maidanit që janë tani në vijën e frontit kërkojnë që ata që kanë mbetur në Sheshin Pavarësia, shumica të moshuar, të vazhdojnë të qëndrojnë aty. Ata e kanë të qartë se mund të pushtohet nga forcat anti-ukrainase”.

Mykola Bondar drejton një grup në Maidan që quhet Njëqindëshja e Katërt Kozake. Ai dhe protestuesit e tjerë janë të vendosur të rrinë.

“Nëse përpiqen ta spastrojnë Maidanin me forcë, ne do të reagojmë siç duhet. Deri kur ndryshimet që ne kërkuam kur dolëm në Maidan të plotësohen, askush nuk do të largojë njeri”.

Beteja në Sheshin e Pavarësisë është mes protestuesve që thonë se misioni i tyre nuk është plotësuar ende dhe banorëve të shumtë që duan që qyteti i tyre historik të pastrohet dhe t’i kthehet normalitetit.

XS
SM
MD
LG