Lidhje

Vazhdojnë bisedimet për zgjatjen e armëpushimit në Gazë


Zyrtarët egjiptianë po ndërmjetësojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit në Kajro, ndërkohë që ka mbetur më pak se një ditë para skadimit të një armëpushim të brishtë tre ditor në Rripin e Gazës. Mosmarrëveshjet mes dy palëve janë të thella, por pas një muaji luftimesh që kanë lënë qindra të vdekur, ata kanë sinjalizuar se janë të gatshëm për zgjatjen e armëpushimit humanitar. Të dyja palët kanë thënë se janë të gatshme të vazhdojnë luftimet nëse nuk plotësohen kushtet e tyre.

Duke folur dje në samitin e udhëheqësve afrikanë në Uashington, Presidenti Barak Obama shprehu mbështetjen e tij për bisedimet e ndërmjetësuara nga Egjipti, duke thënë se është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje më e qëndrueshme.

"Qëllimi i Shteteve të Bashkuara tani është që të sigurohemi që armëpushimi të zbatohet në mënyrë që të fillojë procesi i rindërtimit të Gazës dhe të merren masa në mënyrë që banorët e Gazës të ndjejnë një lloj shprese. Dhe banorët e Izraelit duhet të ndjehen të sigurt se nuk do të ketë një përsëritje të sulmeve me raketa ashtu siç ka ndodhur gjatë disa javëve të fundit".

Trupat izraelite edhe sot mbajtën një prani të madhe ushtarake pranë kufirit me Gazën, në ditën e fundit të armëpushimit tre ditor.

Ndërkohë, shumë njerëz po shfrytëzojnë pezullimin e luftimeve për të vëzhguar dëmet nga sulmet ajrore disa javëshe.

Pronari i një fabrike, i cili ka punësuar qindra njerëzve, thotë se do të duhen vite për rifillimin e punës me kapacitet të plotë në fabrikën e tij.

"Duhen dy vite për ta rindërtuar dhe për ta kthyer fabrikën në gjendjen e mëparshme. Dhe kjo do të ishte e mundur vetëm nëse lëndët e para të çimentos dhe hekurit lejohen të hyjnë këtu pa kufizime".


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon thotë se cikli i dhunës në Gaza duhet të ndërpritet.


"Cikli i pakuptimtë i vuajtjeve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe në Izrael duhet të marrë fund. Nuk duhet të vazhdohet kështu duke ndërtuar dhe shkatërruar. Ne do të ndërtojmë përsëri, por kjo duhet të jetë hera e fundit që ne rindërtojmë. Ky cikël duhet të marrë fund tani".

Hamasi kërkon që Izraeli dhe Egjipti të heqin bllokadën ndaj Rripit të Gazës, si një kusht për një armëpushim afatgjatë me Izraelin. Bllokadat janë vendosur për të penguar hyrjen e armëve dhe terroristëve nga jashtë. Por ato kanë shkatërruar ekonominë e Gazës dhe kanë ndalur udhëtimet e njërëzve.

XS
SM
MD
LG