Lidhje

Spitalet e shkatërruara në Gazë


Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Gaza përballet me një fatkeqësi shëndetësore, pas katër javësh konflikti me Izraelin që filloi me një operacion izraelit për të shkatërruar raketat e Hamasit dhe tunelet e tij. Shumë spitale u dëmtuan gjatë luftimeve dhe të gjitha janë të tejmbushura me të plagosur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Bobb vizitoi spitalin al-Shifa në ditën para se të arrihej armëpushimi i fundit.

Mesditë në sptalin al-Shifa të Gazës. Ambulancat ulin sirenat ndërsa sjellin viktimat e luftës.

Zyrtarët thonë se spitali më i madh i Gazës tani trajton vetëm të plagosurit e konfliktit. Të sëmurët e tjerë apo operacionet bëhen në objekte të tjera.

Të plagosurit i kanë vënë në pavionet e gjinekologjisë dhe mjekësisë së brendëshme. Disa presin në barrela në korridore, të tjerët në dysheme.

Pavioni i pediatrisë është i tejmbushur. Një vajzë u godit nga copërat e një predhe. Nëna e saj, Om Suhair Khalifa, thotë se dy vëllezërit dhe motra e saj janë në gjendje kritike nën kujdes intensiv.

“I ati u tha të flinin pranë nesh por ata nuk deshën. Donin të flinin me kukullat e tyre. Ndjemë diçka që goditi shtëpinë tonë. Kujtuam se ishte tek fqinjët por pastaj pamë tym kudo.”

Studentja infermiere Ragda Samour ka dalë vullnetare që nga fillimi i konfliktit. Ajo punon 16 orë në ditë, si gjithë të tjerët.

“Shumica e rasteve kanë plagë në kokë, dëmtime të truve. Të tjerët kanë humbur gjymtyrët. Kemi të vdekur, Zoti pastë mëshirë për ta. Por plagët janë shumë të vështira për t'i përballuar.”

Disa të plagosur nxirren nga spitali më herët. Nuk ka krevatë të mjaftueshëm, furnizime apo punonjës, thotë mjeku Basel Baker.

“Nuk është kjo pjesa kryesore e vuajtjes, është ana psikologjike. Shohim fëmijë dhe bebe të plagosura, të sakatuara. Të mbijetuarit do të jenë me aftësi të kufizuara. Kjo që shohim është e tmerrshme.”

Kombet e Bashkuara thonë se një e treta e spitaleve dhe klinikave në Gazë janë dëmtuar. Dhjetëra punonjës të shëndetësisë janë vrarë apo plagosur. Grupet humanitare thonë se sistemi mjekësor në Gazë ka nevojë për mbështetje nga jashtë për një kohë shumë të gjatë.

XS
SM
MD
LG