Lidhje

Kujdes nga Batmani ose Minnie Mouse

  • Bernard Shusman

Në sheshin e famshëm Times Square të Nju Jorkut disa njerëz vishen si personazhe filmash vizatimorë. Shpesh mund të shohësh turistë duke bërë fotografi me ta. Por a janë këta imitues interesantë apo të bezdisshëm?Këto janë fytyrat në ëndrrat e fëmijëve... Minnie Mouse, Maçoku me çizme, e shumë të tjerë. Në Times Square mjafton të hedhësh një vështrim përreth dhe mund të gjesh shumicën e personazheve të tu të preferuar të filmave vizatimorë.

Por cili është problemi me këtë foto? Apo këtë tjetrën?

Ato kushtojnë... dhe ndonjëherë përvoja mund të mos jetë e këndshme. Tim Tompkins, president i Aleancës Times Square:

"Në fillim, duket si diçka argëtuese apo për të qeshur, por siç themi ne, "sjellja argëtuese është e mirëpritur, por jo kur bëhet e bezdisshme."Gjithnjë e më shumë prej tyre këmbëngulin me mënyra nga më të ndryshmet. Pra, nëse je një grua tërheqëse e pashoqëruar, atëherë Batmani apo Elmo vjen dhe të jep një përqafim të padëshiruar. Ose, në qoftë se je një nënë me fëmijën e saj, fëmija flet pak me ta dhe ata nuk e lëshojnë fëmijën derisa t’u japësh para. Ti mendon se një dollarë ose dy do të mjaftojnë si bakshish, por përfundon duke dhënë deri në 15 ose 25 dollarë. Ata të vënë në siklet dhe të bëjnë të ndihesh e detyruar për të paguar."

Njerëzit e veshur si personazhet nuk pranuan të flisnin me Zërin e Amerikës lidhur me ushtrimin e presionit ndaj publikut. Por turistët në Times Square konfirmojnë se problemi ekziston.

"Djali im ishte paksa i frikësuar në fillim dhe nuk donte të bënte fotografi, por kur ata shkuan dhe e përqafuan, ai thjesht vendosi të buzëqeshte para aparatit," thotë një turiste.

"U ndjeva nën presion, kur ai filloi të kërkonte para, sepse donte që të paguaja secilin prej tyre me një shumë të caktuar parash, por unë i dhashë 5 dollarë për të gjithë, që t’i ndanin."

"Ata donin të bënin një foto me ne. Unë pranova. Më pas ata kërkuan bakshish. Pra, pa e përmendur këtë gjë më parë."

Por zgjidhja mund të jetë pranë. Anëtari i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, Andy King ka hartuar një projekt-ligj për licencim dhe rregullim të interpretuesve.

"Këta janë të njëjtët personazhe që përdorim për të edukuar, për të argëtuar fëmijët tanë. Por imagjinoni kukullën Elmo, që në televizor është 5 centimetra. Tani, krejt papritur, ai të afrohet, dhe është 1 metër e 80 centimetra i gjatë dhe koka e tij është e madhe. Kjo gjë përbën një realitet shumë ndryshe për një tre vjeçar. Pra, ne duam të sigurohemi që të mos cënohen hapësirat dhe nëse do të ketë një moment fotoje, duhet të jetë një moment i dëshiruar, jo një moment frikësues, kërcënues, apo i bezdisshëm."

Anëtari i Këshillit bashkiak thotë se siguria dhe argëtimi i njerëzve janë prioritet për një qytet që mirëpret më shumë se 55 milionë turistë çdo vit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG