Lidhje

OKB, irakianët e zhvendosur në gjendje të rëndë


Organizata e Kombeve të Bashkuara tha dje se gjendja e mijëra irakianëve të cilët kanë ikur nga terroristët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit në veri të vendit është ende e rëndë, pavarësisht se mijëra të zhvendosur janë larguar nga malet në zona më të sigurta. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në OKB, Margaret Besheer sjell hollësitë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se më shumë se 650,000 njerëz janë zhvendosur që kur terroristët islamikë morën nën kontroll qytetin verior të Mosulit në qershor. Numri i të zhvendosurve ka vazhduar të rritet ndërkohë që grupi, që konsiderohet si më ekstrem se sa al-Kaida, ka pushtuar më shumë territore në Irakun verior dhe perëndimor.

Situata është e rëndë veçanërisht për mijëra anëtarë të pakicës Jazidis, të cilët kanë ikur në malin verior të Sinxharit, ku ata po vuajnë nga temperaturat e larta dhe mungesa e ushqimit. Ata kanë ikur atje për t’i shpëtuar kërcënimeve të militantëve islamikë se do t’i vrasin ata që nuk konvertohen në Islam.

Kieran Dwyer, zëdhënës i departamentit të OKB-së për çështjet humanitare, u tha gazetarëve me telefon nga kryeqyteti rajonal i kurdëve, Irbil, se ndihma emergjente nga ajri përfshirë ujë dhe ushqime janë shpërndarë në rajon. Gjithashtu në 72 orët e fundit, mijëra të zhvendosur janë transportuar në zona të sigurta jashtë malit Sinxhar me ndihmën e forcave kurde të sigurisë.

"Njerëzit që transportohen jashtë malit duhet të kalojnë nëpër një territor shumë të vështirë para se të arrijnë në një zonë të sigurt. Gjatë zbritjes nga mali ata mund të përballen me grupe të armatosura", thotë zoti Dwyer.


Zoti Dwyer tha se Organizata e Kombeve të Bashkuara është gjithashtu jashtëzakonisht e shqetësuar nga njoftimet se militantët islamikë po rrëmbejnë qindra gra dhe vajza dhe planifikojnë t’i shesin ato.

"Ne po përpiqemi të punojmë me autoritetet në çdo mënyrë që mundemi për të ushtruar trysni për lirimin e atyre vajzat dhe grave. Kjo është një situatë e rëndë dhe shumë shqetësuese për komunitetet lokale këtu", thotë zoti Dwyer.

Nga ana e tij, Këshilli i Sigurimit i OKB-së është duke punuar në një projekt-rezolutë që synon ndërprerjen e fondeve nga jashtë për Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit dhe ndaljen e kalimit të luftëtarëve të huaj në radhët e këtij grupi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon të hënën mirëpriti hapin drejt formimit të një qeverie të re në Irak. Në një deklaratë, zyra e tij tha se ai është i shqetësuar se tensionet politike të kombinuara me kërcënimin e sigurisë nga militantët islamikë mund të çojnë vendin në një krizë edhe më të thellë. Ai i bëri thirrje të emëruarit për kryeministër që të formojë një qeveri të re brenda kohës që e parashikon kushtetuta e vendit.

XS
SM
MD
LG