Lidhje

Specialistë nga Kosova mbi sfidat ekonomike


Diskutimi, i zhvilluar në Institutin Kombëtar Demokratik, u përqëndrua në sfidat me të cilat përballet ekonomia e Kosovës në këtë periudhë dhe detyrat që i dalin qeverisë së ardhshme në përgjigje të këtyre sfidave.

Lea Shllaku, specialiste në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë shprehet se sektori i pazhvilluar industrial ka penguar tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët nuk gjejnë kapacitetet e duhura për t’u angazhuar në treg. Qeveria e ardhshme, thotë zonja Shllaku, duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë fuqizimit të sektorit privat:

“Përkrahja më e madhe e prodhuesve vendorë dhe zhvillimi i sektorit privat në Kosovë. Zgjidhja afat-gjatë kishte me qenë të punojmë sa më shumë në implementimin e ligjeve, në fuqizimin e kontratave, që do ta bënte më të mundur që të kemi më shumë investime të huaja që do të bashkëpunonin edhe me sektorin tonë privat dhe kjo do të gjeneronte një zhvillim ekonomik më të madh”.

Specialiste nga Kosova mbi sfidat ekonomike
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:38 0:00

Ilire Daija Buza e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ndalet tek nevoja për reforma në kodin ligjor që ai t’i përshtatet realitetit dhe nevojave aktuale të Kosovës:

“Ligjet, shumica janë shkruar prej palëve të cilat nuk e kanë kuptuar aq mirë situatën se ku jemi. E dimë që janë të komplikueshme, janë shumë të gjera, nuk i përshtaten rrethanave. Presim që të ketë amandamente, të krijohen më të qarta, duhet të jenë më të qarta; ajo është mungesa kryesore”.

Pengesat që dalin qoftë nga kodi ligjor, strukturat institucionale dhe rregulloret e komplikuara kanë një kosto të konsiderueshme në tërheqjen e investimeve të huaja apo gjenerimin e aktivitetit vendas. Rozafa Ramadani, koordinatore e një projekti hidroenergjetik të kompanisë Drini i Bardhë, ofron përvojën e sektorit privat në labirintet e procedurave aktuale të zhvillimit të biznesit.

“Nga eksperienca jonë, na u deshën mbi dy vjet e gjysëm për të siguruar lejet dhe dokumentacionin zyrtar për të hapur një hidrocentral. Gjatë kësaj kohe, disa nga investitorët kishin investuar në projekte të tjera dhe u tërhoqën nga projekti ynë. Qeveria ka nxjerrë rreth 24 leje, por vetëm një projekt për ndërtimin e një hidrocentrali privat ka filluar të zbatohet”.

Por nuk janë vetëm pengesat institucionale. Kosova ka përballë një sfidë të konsiderueshme edhe për të rritur kërkesën e tregut të brendshëm për mallrat vendase.

“Produktet lokale kanë potencial të madh dhe prodhohen në përputhje me standardet që përmbushin edhe produktet e huaja. Ka qenë problem në Kosovë, pasi njerëzit preferojnë produktet e huaja, megjithëse janë më të shtrenjtë, por ndjehen më të sigurtë”.

Situata kërkon mobilizim të madh dhe mendësi të re. Pjesëmarrëset thonë se autoritetet e Kosovës duhet të kërkojnë partneritet dhe mbështetje tek shoqëria civile, dhe grupet e interesave specifike për të gjetur zgjidhje. Majlinda Mazelliu e Shoqatës së Grave në Biznes flet për rëndësinë e hartimit të politikave për të nxjerrë nga izolimi ekonomik grupe të marxhinalizuara si gratë dhe pakicat. Ndërsa Merita Bytyçi Kelmendi e Grupit për Ligjin dhe Politikat Ndërkombëtare, ndalet tek roli që luan shoqëria civile në forcimin e llogaridhënies dhe për miratimin e politikave që reflektojnë nevojat dhe aspiratat e popullatës.

Specialistet largohen këtë javë nga Uashingtoni pas një muaj pune në institucione të qeverisë amerikane ku kanë parë nga afër funksionimin e sistemit amerikan. Përveç bagazhit të njohurive, ato sjellin me vete edhe lidhjet që kanë krijuar gjatë kësaj kohe në Uashington. Avni Mustafaj, Shefi Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan që organizon programin Hope Fellowship, thotë se ardhja e specialisteve këtu në Uashington është një mënyrë shumë efektive për ta mbajtur Kosovën në vëmendjen e vendim-marrësve amerikanë:

“Këtu në Uashington i mban të gjitha këto struktura: qeverinë e Amerikës, Kongresin si dhe shoqatat hulumtuese që janë shumë të rëndësishme, e mbajnë shumë më afër situatën tonë. Kjo tregon pastaj që këto struktura nuk ndahen nga situata e Kosovës, pasi e kanë një ndjenjë që është tepër personale, jo thjesht një çështje ndërkombëtare”.

Qeveria e Kosovës ka punë të madhe përpara për të krijuar një mjedis më të hapur për investime të brendshme dhe të huaja dhe një rritje ekonomike që i shërben gjithë popullatës së vendit. Pjesëmarrëset e programit Hope Fellowship i bashkohen armatës së specialistëve të përgatitur me njohuritë moderne dhe një mendësi të re për të ardhmen evropiane të Kosovës.

XS
SM
MD
LG