Lidhje

Presidenti Obama dhe çështja e imigracionit


U.S. President Barack Obama speaks about Iraq

U.S. President Barack Obama speaks about Iraq

Aktivistë të çështjes së imigracionit protestuan para Shtëpisë së Bardhë dhe u angazhuan në mosbindje civile duke kërkuar dhënien fund të dëbimeve të emigrantëve pa dokumente.

Yaritza është një shtetase amerikane, e cila frikësohet nga dëbimi i nënës së saj meksikane, që jeton në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe ka një mesazh për Presidentin Obama.

"Ndalni ndarjet e familjeve. Do të ishte mirë nëse ai mund të mbajë disi bashkë fëmijët dhe familjet e tyre".

Presidenti Obama tashmë ka premtuar se do të veprojë.

"Unë jam duke filluar një përpjekje të re për të rregulluar vetë aq sa mundem sistemin tonë të imigracionit, pa Kongresin. Në qoftë se Kongresi nuk do të bëjë punën e tij, të paktën ne mund të bëjmë punën tonë".

Një masë e tillë do të kundërshtohet ashpër nga republikanët, si senatori Jeff Sessions.

"Kongresi miraton ligjet. Presidenti duhet t’i ekzekutojë ligjet. Presidenti nuk ka të drejtë të miratojë ligje, ose të marrë veprime në kundërshtim me ligjet".

Ardhja e dhjetëra mijëra të miturve nga Amerika Qendrore, të cilët në bazë të ligjit të tanishëm kanë të drejtë të kërkojnë shqyrtimin e statusit të tyre, e ka ndërlikuar çështjen e imigracionit. Fluksi i këtyre emigrantëve i ka rënduar objektet federale dhe ka alarmuar zyrtarët në disa shtete, ku janë vendosur ata. Pat McCrory është guvernator i Karolinës së Veriut.

"Gjendja shëndetësore e këtyre fëmijëve është e panjohur, a përbëjnë rrezik ata për fëmijët e tjerë në Karolinën e Veriut? Nëse numri i tyre vazhdont me këtë ritëm, kjo mund të ketë një ndikim të rëndë mbi burimet aktuale që kemi në dispozicion për t'u kujdesur për fëmijët e Karolinës së Veriut".

Por Kongresi filloi një pushim pesë javësh pa miratuar fonde shtesë federale për sistemimin e fëmijëve emigrantë dhe pa miratuar ligjin për reformën e imigracionit. Kjo nuk e befason analisti politik Thomas Mann të Institutit Brookings.

“Mendimi i përgjithshëm është se ky Kongres është i paaftë të miratojë reforma të thella.”

Grindjet partiake dominojnë debatin mbi çështjen e imigracionit. Senatori republikan John Cornyn fajëson Shtëpinë e Bardhë.

"Presidenti praktikisht ka nxitur fëmijët dhe prindërit e tyre që të bëjnë këtë udhëtim të rrezikshëm për jetën e tyre, duke sugjeruar se ai nuk do të zbatojë ligjin".

Demokratët kritikojnë refuzimin e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët për të votuar mbi një projekt-ligj gjithëpërfshirës të reformës së imigracionit, i cili vitin e kaluar u miratua nga Senati. Patrick Leahy është senator demokrat.

"Udhëheqja republikane ka frikë të mbajë një qëndrim të caktuar mbi çështjen e imigracionit, ata mund ta kishin hedhur atë në votë. Është shumë më e lehtë që të mos thuash asgjë dhe t’ia hedhësh fajin Presidentit Obama".

Thomas Mann thotë se në një klimë të tillë, Presidenti Obama nuk ka çfarë të humbasë nga marrja e gjërave në duart e tij.

"Politika është shumë e thjeshtë: çdo gjë që Presidenti Obama bënë nuk e kënaq opozitën republikane. Nëse ai e bën këtë, ai do ta bëjë sepse beson se kjo është ajo që duhet bërë tani".

Rreth 11 deri 12 milionë qytetarë të huaj, jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG