Lidhje

Obama: Kurdët rimarrin digën strategjike në Irak


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se sulmet ajrore amerikane kanë ndihmuar forcat e Irakut dhe kurdët të rimarrin digën strategjike të Mosulit nga militantët islamikë duke shmangur një katastrofë humanitare.

Gjatë një konference me gazetarë dje në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se forcat irakiane dhe forcat kurde të sigurisë, të mbështetur nga avionë luftarakë amerikanë, rimorën një digë të rëndësishme nga luftëtarët e grupit Shteti Islamik.

"Në qoftë se diga do të shkatërrohej ajo do të mund të shkaktonte përmbytje katastrofike duke kërcënuar jetën e mijëra civilëve dhe do të rrezikonte kompleksin e ambasadës sonë në Bagdad".

Presidenti Obama tha se forcat irakiane dhe kurde kanë drejtuar luftimet kundër militantëve në terren duke dëshmuar se ata mund të punojnë së bashku.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po armatosin luftëtarët irakianë dhe kurdë të cilët janë duke bërë përparim të rëndësishëm në zbrapsjen e terroristëve.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara po krijojnë një koalicion ndërkombëtar për dërgimin e ndihmave humanitare për irakianët e zhvendosur.

"Shtetet e Bashkuara do të punojnë me qeverinë e Irakut, si dhe me partnerë si Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Italia dhe Australia në dërgimin e ushqimeve dhe ujit për njerëzit në nevojë dhe dërgimin e ndihmave afat-gjata për njerëzit të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre".

Komanda Qendrore Amerikane thotë se avionët luftarakë dhe avionët pa pilotë dje kryen 15 sulme ajrore rreth digës së Mosulit.

Gjatë këtyre sulmeve u goditën nëntë pozicione luftarake të grupit Shteti Islamik, si dhe artilera e tyre anti-ajrore, automjetet e tyre luftarake dhe objektiva të tjera.

Koloneli Steve Warren është zëdhënës i Pentagonit.

"Ne goditëm objektiva të planifikuara para fillimit të operacionit tokësor dhe pastaj gjatë operacionit tokësor vazhduam të qëllonim objektiva të tjera sipas nevojës".

Që nga 8 gushti, Komanda Qendrore Amerikane ka kryer 68 sulme ajrore në Irakun verior, rreth gjysma e tyre në mbështetje të forcave irakiane në afërsi të digës së Mosulit.

Diga ka një rëndësi kritike për Irakun verior sepse ajo prodhon energji elektrike dhe mbështet sistemet e ujitjes në pjesën më të madhe të rajonit.

Zëdhënësi Warren thotë se sulmet ajrore janë pjesë e një misioni më të gjerë për të mbrojtur personelin amerikan, infrastrukturën kritike, si dhe parandalimin e fatkeqësive humanitare.

Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij muaji nisën sulmet ajrore kundër kryengritësve, pjesërisht për të parandaluar vrasjen e mijëra anëtarëve të të pakicës jezide dhe të krishterëve të rrethuar nga militantët në Irakun verior.

XS
SM
MD
LG