Lidhje

Shteti Islamik, një kërcënim global

  • Ardita Dunellari

Seth G. Jones

Seth G. Jones

Fushata e terrorit që vazhdon të ushtrojë Shteti Islamik në Irak dhe përfshirja e tij aktive në luftimet në Siri e kanë shndërruar këtë rrjet në një ndër shqetësimet parësore të sigurisë në botë.

Kohët e fundit autoritetet në Kosovë arrestuan mbi 40 individë të dyshuar për mbështetje të operacioneve të kësaj organizate.

Analisti i çështjeve të sigurisë Seth G. Jones në një intervistë për Zërin e Amerikës flet për kërcënimin global që paraqet kjo organizatë dhe përpjekjet për të ndalur avancimin e saj.

Shteti Islamik është bërë një faktor real destabiliteti në Irak dhe një shqetësim për të ardhmen e Sirisë pas përfundimit të konfliktit. Por analisti i çështjeve të sigurisë pranë institutit studimor Rand Corporation, Seth G. Jones ,shprehet se ka arsye reale për t’u shqetësuar për kërcënimin që paraqet kjo organizatë edhe për sigurinë në Perëndim.

“Ka vend për shqetësim për komplote aktive për sulme në Evropë. Janë kryer arrestime në Spanjë, Francë, Britani të individëve, që sipas këtyre qeverive, ishin stërvitur në Siri, por edhe në Irak dhe ishin përfshirë në plane për sulme terroriste”.

Kosova është një ndër vendet që po ndërmerr hapa konkretë ndaj asaj që e konsideron si kërcënim të sigurisë kombëtare nga Shteti Islamik, përmes rekrutëve dhe operativëve të kësaj organizate në vend.

Analisti Jones shpjegon se Shteti Islamik ka qenë shumë efektiv dhe novator në përdorimin e medias sociale për tërheqjen e rekrutëve dhe simpatizantëve për kauzën e vet.

“Grupe si Shteti Islamik dhe Fronti al-Nusra në Siri kanë qenë në gjendje të përdorin me shumë efektivitet median sociale. Ata kanë llogari në Twitter, në Facebook, ngarkojnë video në Youtube në kohë reale. Pra një individ në Perëndim e ka fare të thjeshtë të dëgjojë propagandën e tyre, biles edhe të komunikojë drejtpërdrejt me ta në Siri apo Irak”.

Ky aktivitet elektronik duhet ndjekur me vëmendje nga organet e rendit dhe sigurimit të shtetit, për të kapur sinjale të rrezikut që paraqesin këto aktivitete apo individë.

Por analisti paralajmëron për maturi në trajtimin e aktivitetit dixhital, pasi në raste të caktuara individët mund të jenë thjesht duke ushtruar lirinë e shprehjes në një shoqëri demokratike. Ai sjell shembullin amerikan në raste të tilla:

“Në disa raste, përfshirë edhe shembuj në Shtetet e Bashkuara, mblidhen prova të aktivitetit terrorist, të synimeve për të mbështetur me fonde grupe terroriste jashtë vendit, të propagandimit të mesazhit të tyre, apo të angazhimit si operativ. Të gjitha këto përbëjnë bazë ligjore për ndjekje penale të individit. Por nuk është bardh e zi. Ekziston një larmi aktivitetesh gri, për shembull individi futet në internet për të ushtruar të drejtën e fjalës, apo diskuton me të tjerët përmes medias sociale, ai duhet të lejohet të ushtrojë këtë të drejtë. Ai e kapërcen të drejtën, kur aktiviteti i tij kalon në veprimtari terroriste”.

Analisti ngre të njëjtin shqetësim edhe me individë që kthehen nga zona të konfliktit. Drejtësia në Shtetet e Bashkuara, shpjegon ai, kërkon një proces rigoroz hetimor, mbledhje faktesh të mirëfillta për aktivitet të rrezikshëm, para ndalimit apo arrestimit të personit.

“Në rastin e individëve që kthehen në vendet e tyre në Perëndim, qoftë edhe në Shtetet e Bashkuara, duhet të kemi të dhëna mbi aktivitetin e tyre jashtë vendit: A ka prova se çfarë kanë bërë konkretisht, nëse janë stërvitur, me kë janë stërvitur? Nga është marrë ky informacion, nga agjencitë perëndimore të zbulimit, turqit apo të tjerë? Para se të bëhet arrestimi i një individi apo edhe qoftë edhe të merret vendimi për ta arrestuar, organet amerikane të rendit zhvillojnë një intervistë me të. Duhet të mblidhet më parë informacioni dhe të dhënat e sakta, para se të bëhet ndalimi i tij. Pasi mund të ketë individë që kanë shkuar në Siri thjesht për miione humanitare dhe nuk kanë thyer ligjin në ndonjë formë”.

Analisti, i cili muajin e kaluar dëshmoi para Kongresit amerikan mbi kërcënimin që paraqet Shteti Islamik për sigurinë në Shtetet e Bashkuara, ndalet tek mënyrat që ka përdorur kjo organizatë si dhe rrjete të tjera në të kaluarën për të rekrutuar luftëtarë në Perëndim. Një pjesë e konsiderueshme e tyre shtyhen nga mungesa ekonomike në komunitetet e tyre dhe u bashkohen luftimeve si mercenarë me pagesë.

“Sfida që vërejmë në Ballkan, në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë e Jugut janë vështirësitë ekonomike. Ka individë që gjenden përballë nevojës për të mbështetur familjen dhe në këto kushte pranojnë t’i bashkohen xhihadit të dhunshëm për të siguruar të ardhura”.

Shumë të tjerë, shpjegon, zoti Jones, përqafojnë një kauzë ekstremiste pasi ndjehen të izoluar apo të harruar në shoqëritë e tyre.

Ky realitet vë para përgjegjësisë autoritetet drejtuese në këto vende për të dalë me politika specifike që përqëndrohen tek komunitetet e rrezikuara, në mënyrë që atyre t’u ofrohen mundësi alternative ekonomike dhe të integrohen më së miri në shoqëri për të eliminuar rrezikun e indoktrinimit nga ideologjitë ekstremiste.

XS
SM
MD
LG