Lidhje

Obama: Të tronditur nga ekzekutimi i gazetarit amerikan


Presidenti amerikan Barack Obama tha se “e gjithë bota është e tronditur” nga ekzekutimi me prerje koke i gazetarit amerikan James Foley në Lindjen e Mesme.

Udhëheqësi amerikan, duke folur sot nga vendi ku po bën pushimet në brigjet veriore të Atlantikut, e dënoi vrasjen dhe tha se kishte telefonuar familjen e Foleyt për t’i shprehur ngushëllimet.

Ai tha se ekstremistët e grupit Shteti Islamik kanë treguar karakterin e tyre çnjerëzor duke vazhduar sulmet brutale në Siri dhe Irak dhe duke ekzekutuar Foleyn, duke regjistruar videon e vrasjes së tij dhe postuar në internet pamjet e vdekjes së amerikanit 40 vjeçar.

Zoti Obama tha se grupi i Shtetit Islamik nuk përfaqëson asnjë fe dhe se shumica e viktimave të tij, janë myslimanë.

Më herët, zyrtarët amerikanë konfirmuan se një video makabre e ekzekutimit të Foleyt, e bërë publike nga militantët ishte autentike. Familja e Foleyt e kishte konfirmuar veças vdekjen e tij dhe tha se ai dha jetën “duke u përpjekur të ekspozonte për botën, vuajtjen e popullit sirian”.

Foley u zhduk ndërsa punonte në Siri në nëntor 2012, dhe që atëherë nuk kishte pasur asnjë lajm për të.

XS
SM
MD
LG