Lidhje

Pres. Nishani takim për reformën territoriale


Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani zhvilloi sot një takim konsultues me përfaqësues të Shoqatës së komunave, në prag të vendimit që ai duhet të marrë për të dekretuar ose jo reformën administrativo-territoriale të miratuar nga parlamenti 31 korrikun e shkuar.

Presidenti Nishani shpjegoi se e kishte organizuar këtë takim pas “mjaft kërkesave dhe ankesave të marra përgjatë këtyre kohëve nga grupe interesi, shoqata si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe Shoqatës së Komunave”.

Sipas njoftimit të presidencës lidhur me takimin, kreu i Shtetit “garantoi se mbështet plotësisht nismën e qeverisë për ndërmarrjen e reformës administrativo-territoriale duke e konsideruar atë si një çështje te rëndësishme, por shtoi gjithashtu se kryerja e saj duhet të bëhet në përputhje të plotë me interesat kombëtare, ato të qytetarëve dhe duhet të jetë një proces i mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Komentet e zotit Nishani duket se paralajmërojnë një kthim të mundshëm të reformës në parlament. Ditët e fundit presidenti ka kthyer pas katër ligje të rëndësishme të miratuar në seancën e fundit të parlamentit, duke shkaktuar edhe replika të ashpra mes palëve. Të zgjedhurit vendorë të së majtës nuk ishin sot të pranishëm në takimin me zotin Nishani.

Reforma territoriale, e cila kërkonte një shumicë të cilësuar, u miratua me 88 vota pro, falë bashkimit me të majtën edhe të partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila është në opozitë. Partia demokratike e cila nuk mori pjesë në procesin e hartimit të reformës ka deklaruar se nuk do ta njohë atë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG