Lidhje

Nigeria përgënjeshtron pretendimet e Boko Haram


Militantët nigerianë publikuan të dielën një video të re, duke thënë se kanë marrë nën kontroll një qytet dhe fshatrat rreth tij, në atë që ata e quajnë ‘Kalifati islamik’ i tyre. Zyrtarët e mohojnë këtë njoftim së bashku me kredibilitetin e videos. Por, siç njofton Heather Murdock për Zërin e Amerikës nga Abuja, disa udhëheqës fetarë thonë se ndërsa grupi Boko Haram bëhet më i fortë, qeveria duhet të rishqyrtojë vendimin për braktisjen e bisedimeve të paqes.

Në videon e publikuar të dielën, shfaqet një njeri që pretendon të jetë udhëheqësi i Boko Haram-it, Abubakar Shekau, i rrethuar nga dy burra të maskuar me armë, para dy makinave tip fuoristradë.
Ai thotë se Boko Harami ka marrë nën kontroll Gwoza-n, një zonë që ka qenë shënjestër e disa sulmeve të militantëve në muajt e fundit, duke përfshirë vrasjen e emirit lokal në fund të muajit maj.

Më pas, shfaqet ajo që ngjan me marrjen e një qyteti ose të një baze ushtarake. Luftëtarët hyjnë duke qëlluar me armë përmes një zone rurale me ndërtesa, në disa kodra mes shkëmbinjve, dhe në fund futen në qytet me kamionë ushtarakë, triumfues dhe duke vazhduar të qëllojnë me armë, ndërsa në video luhet dhe muzikë.

Njerëzit në video duket të jenë të gjithë luftëtarë të Boko Haramit, por nuk është e qartë se kush janë apo kundrejt kujt janë duke qëlluar. Disa analistë thonë se videoja është pjesë e një modeli të Boko Haramit, duke hyrë në qytete dhe duke detyruar këdo që mundet të luftojë.

Yan St. Pierre është drejtor ekzekutiv i MOSECON, një firmë sigurie me bazë në Berlin:

"Ajo që po ndodh tani është që sa më shumë që ata zgjerohen – pra kur shkojnë në territore të reja, ose për të përdorur fjalë të sakta, kur ata pushtojnë territore të reja – dhe marrin djemtë e atyre vendeve, aq më shumë ata kanë nevojë për anëtarë të tjerë."

Kombet e Bashkuara thonë se 650 mijë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve të Boko Haramit dhe grupi ka vrarë mijëra njerëz vetëm këtë vit, me qëllimin e deklaruar për të zbatuar një interpretim të ashpër të ligjit islamik.

Disa udhëheqës fetarë thonë se në shumë pjesë të Nigerisë veriore, njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë tjetër, përveçse të braktisin shtëpitë. Mallam Abdullahi Bayero është zëdhënës i Këshillit të Lartë të Sheriatit në Nigeri.

"Qeveria federale nuk mund të ofrojë siguri për ty. Duhet të ofrosh siguri për veten dhe familjen tënde."

Por zyrtarët nigeriane thonë se videoja e re nuk ka kredibilitet, duke e cilësuar pretendimin e Shekau-t për marrjen nën kontroll të qytetit, si "bosh".
Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes Gjeneral Major Chris Olukolade thotë se "operacione të përshtatshme ushtarake për të siguruar në atë zonë mbrojtje prej aktiviteteve të banditëve është ende në vazhdim."

Ndërsa ushtria vazhdon luftimet, disa udhëheqës thonë se një rritje e kohëve të fundit e rasteve të rrëmbimeve është, ndër të tjera, një nga arsyet që qeveria të rishqyrtojë ndërprerjen e bisedimeve të paqes, një strategji që është përdorur për periudha të caktuara kohe për vite me rradhë. Mes qindra burrave, grave dhe fëmijëve të rrëmbyer këtë vit janë dhe më shumë se 200 nxënëse shkolle të marra nga qyteti Chibok, në muajin prill. Rrëmbimi tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, por vajzat mbeten të zhdukura.

Kleriku Yohanna Buru i Fondacionit nigerian të Rilindjes dhe Pajtimit përmes Paqes thotë se qeveria duhet të dërgojë negociatorë me të cilët militantët mund të kenë lidhje, si imamët ose udhëheqësit tradicionalë, në përpjekje për të negociuar sërish.

"Boko Haram gjithmonë ka pranuar të zhvillojë dialog me udhëheqës tradicionalë apo fetarë. Pse qeveria federale nuk po luan rolin e saj?"

Në videon e fundit, Shekau drejton fjalët e tij më të ashpra kundër grupeve civile të sigurisë, duke thënë se ata që mbrojnë shtëpitë e tyre, nëse Boko Haram i takon, do të vriten në emër të Perëndisë.

XS
SM
MD
LG