Lidhje

Ukraina ndeshet me sulme të rebelëve pro-rusë


Pas mbarimit të një takimi urgjent të NATO-s ku u diskutua mbi krizën në Ukrainën lindore, vendi vazhdon të ndeshet me vështirësi në përpjekjet për të kontrolluar luftimet e ashpra në afërsi të portit strategjik Mariupol, në Detin Azov. Separatistë pro-rusë, që dyshohet se po marrin ndihmë nga ushtria ruse, janë duke u përpjekur të pushtojnë qytetin dhe ushtria e Ukrainës po zhvillon një betejë të fortë. Rebelët pro-rusë po përpiqen të pushtojnë portin ukrainas të Mariupolit me qëllim krijimin e një korridori të furnizimit nga Rusia në Krime.

Shumica e vendeve, përveç Moskës, thonë se rebelët po marrin ndihmë të drejtpërdrejtë nga ushtria ruse.

Mijëra ushtarë rusë kanë luftuar së bashku me ta, tha të enjten udhëheqësi i rebelëve pro-rusë në Donetsk, Alexander Zakharchenko.

"Mendoj se sot kemi arritur në brigjet e Detit Azov dhe procesi i çlirimit të tokës sonë, e cila përkohësisht është pushtuar nga autoritetet ukrainase, do të vazhdojë".

Por Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov hodhi poshtë akuzat për ndërhyrjen ruse duke i quajtur ato nervozizëm ndaj humbjeve të ushtrisë ukrainase.

"Që nga fillimi i krizës Rusia është fajësuar për çdo gjë. Pra, kjo nuk është hera e parë që ne dëgjojmë akuza të tilla, por asnjëherë nuk janë paraqitur fakte për ato. Imazhet nga hapësira tregojnë për lëvizje të trupave ruse janë fotografi të marra nga lojërat kompjuterike, dhe akuzat e fundit janë të njejta me ato të mëparshmet".

Në rrugët e Moskës, Nikolai, një muzikant, shprehu dyshim për nevojën e zgjidhjes së konfliktit me trupa.

"Do të ishte shumë e vështirë për mua të mbështesja pushtimin e Ukrainës. Unë mendoj se presidenti dhe udhëheqja ruse kanë forcë, durim dhe urtësi për të zgjidhur me rrugë diplomatike të gjitha problemet politike".

Kombet e Bashkuara thonë se 2,600 njerëz janë vrarë që nga prilli, kur rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore pushtuan zyrat qeveritare dhe kërkuan autonomi nga autoritetet në Kiev.

Analistët politikë thonë se Rusia po mbështetë rebelët për të ruajtur avantazhin e saj mbi udhëheqësit e rinj të Ukrainës dhe për t’i parandaluar ata nga anëtarësimi në NATO.

Një kompromis është i nevojshëm para se Moska të ndalë mbështetjen për rebelët, thotë analisti politik dhe politikani i opozitës ruse Vladimir Ryzhkov.

"Vendimet politike që mund të çojnë në zgjidhjen e konfliktit mund të jenë një garanci se Ukraina do të jetë neutrale, dhënie a një autonomie të gjerë për rajonet e Donetskut dhe Luhanskut brenda Ukrainës, si dhe çmilitarizimi dhe ndalja e menjëhershme e operacioneve ushtarake atje".

Por kryeministri i Ukrainës Arseny Yatseniuk tha dje se agresioni i Rusisë e ka shtyrë vendin që t’i jap fund statusit të saj neutral dhe të kërkojë anëtarësim në NATO.

Ndërkohë që rebelët përparojnë drejt Mariupolit, banorët e këtij qyeti mbajtën një protest paqësore në mbështetje të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG