Lidhje

Obama, thirrje NATO-s të ndihmojë ushtrinë ukrainase


Presidenti amerikan Barack Obama e dënoi sot ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, duke e quajtur një “sulm i paturp” ndaj integritetit të vendit. Ai i bëri thirrje NATO-s që të ndihmojë për forcimin e ushtrisë ukrainase dhe tha se aleanca duhet ta lërë derën hapur për anëtarë të rinj për t’i bërë ballë atij që ai e quajti agresion rus:

“NATO-ja duhet të dërgojë një mesazh të qartë në mbështetje të Ukrainës. Aleanca jonë ka pasur një partneritet me Ukrainën për mbi 20 vjet. Forcat ukrainase kanë shërbyer me nder në operacionet e NATO-s në Ballkan dhe Afganistan”.

Ai tha se në takimin e NATO-s në Uells do të takohet me Presidentin ukrainas Petro Poroshenko për të treguar se 28 vendet anëtare janë të bashkuara në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të drejtës së saj për të mbrojtur territorin e vet.

“Tani Ukraina ka nevojë për më shumë sesa fjalë. NATO-ja duhet të ndërmarrë angazhime konkrete për ta ndihmuar Ukrainën të modernizojë dhe fuqizojë forcat e saj të sigurisë. Dhe gjithashtu duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar partnerët e tjerë të NATO-s që të fuqizojnë mbrojtjen e tyre, përfshirë Gjeorgjinë dhe Moldavinë”.

Udhëheqësi amerikan foli para një turme prej 2000 mijë vetësh në një sallë koncerti në kryeqytetin Talin të Estonisë, pasi u takua me udhëheqësit e tre vendeve balltike që hynë në aleancë në vitin 2004.

“Ne duhet gjithashtu të rikonfirmojmë parimin që gjithmonë ka udhëhequr aleancën tonë: për vendet që kanë plotësuar standardet dhe që mund të japin kontribute të rëndësishme për sigurinë e aleancës, dera për anëtarësim në NATO është gjithmonë e hapur”.

Presidenti Obama i siguroi tre ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik, Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë se NATO-ja do t’i mbrojë ndaj çdo agresioni të mundshëm nga Moska.

Presidenti Obama tha se këto tri vende e kishin humbur pavarësinë një herë ndaj Moskës, por se “me NATO-n, nuk do ta humbin më kurrë”.

Presidenti i bëri këto komente një ditë para fillimit të një takimi të nivelit të lartë të Natos, në Uells.

Presidenti Obama njoftoi gjithashtu për planet për të dërguar më shumë avionë ushtarakë ajrorë në Balltik, në përpjekje për të qetësuar vendet e nervozuara nga përfshirja ushtarake e Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimi i mundshëm rus për vendet balltike.

Presidenti Obama tha gjithashtu se të gjitha vendet anëtare të NATO-s duhet të japin kontributin e tyre në shpenzimet e mbrojtjes për të konsoliduar aleancën.

Duke folur në krah të presidentit estonez Toomas Hendrik, zoti Obama e vlerësoi Estoninë si një shembull për mënyrën sesi të 28 vendet e NATO-s duhet të përmbushin detyrimet e tyre për një kontribut prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për aleancën.

XS
SM
MD
LG