Lidhje

Parlamenti i Kosovës mblidhet më 12 shtator


Partitë politike janë ende larg një marrëveshjeje për formimin e institucioneve në bazë të zgjedhjeve të tetë qershorit

Seanca e Parlamentit të Kosovës do të mbahet në paraditen e 12 shtatorit. Vendimi për seancën u caktua nga deputetja më e vjetër e parlamentit, Flora Brovina, e cila u takua të enjten me Partinë Demokratike dhe partitë e pakicave kombëtare, ndërsa takimi u bojkotua nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, të cilat kishin paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në këshillime, meqë, detyrë e kryesueses së seancës është vetëm caktimi i kohës së saj.

Parlamenti i Kosovës mblidhet më 12 shtator
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Më 22 gusht gjykata kushtetuese shpalli të pavlefshme zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Kosovës në seancën e 17 korrikut, dhe e cilësoi të papërfunduar atë seancë.

Ne u konsultuam së bashku, sepse këtë ma obligon edhe aktgjykimi i gjykatës kushtetuese si kryesuese e kësaj seance. Pra, seanca konstituive ka mbetur e papërfunduar dhe ajo duhet të vazhdoje në pikën e fundit që është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit”, tha zonja Brovina.

Pjesëmarrësit e takimit sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike Enver Hoxhaj, kishin propozime të ndryshme për mbajtjen e seancës së Parlamentit.

Njëra prej ideve të para ishte që të iket nga data e 11 shtatorit, meqë kjo ditë është pikëllimi e zie edhe për Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës, për shkak të sulmeve terroriste më 11 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në partnerët tanë më të shenjtë që i kemi si shtet i ri”, tha zoti Hoxhaj.

Ai kritikoi partitë që nuk morën pjesë në këshillimet e sotme.

Mendoj qe çdo kush që sot nuk ka marrë pjesë në këtë takim, e ka lënduar kushtetutën e Kosovës, nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës kushtetuese dhe në i bëjmë çdokujt që është në jetën politike parlamentare që ta ruajmë traditën e mirë që e kemi pasur në Republikën e Kosovës, që çdoherë vendimet e gjykatës, janë respektuar”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha se i takon Partisë Demokratike të propozojë kryetarin e parlamentit të Kosovës si grupi më i madh i dalë nga zgjedhjet e tetë qershorit. Partia Demokratike e cila ka 37 deputetë, nuk e ka aktualisht numrin e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit, zgjedhje që kërkon të paktën 61 vota. Ndërkaq, partitë tjera që synojnë të formojnë institucionet thonë se as nuk do të debatojnë me Partinë Demokratike, të cilën duan ta shohin në opozitë.

Të dyja kampet po synojnë edhe votat e pakicave kombëtare, të cilat deri tash sipas deputetit nga radhët e komunitetit serb Nenad Rashiç, kanë mbajtur një qëndrim të paanshëm.

Konsideroj që së pari partitë shqiptare duhet ta tregojnë një pjekuri politike dhe në atë aspekt që ata të kenë një bashkëpunim mes tyre dhe ne në fund të jemi një pjesë shtesë që e përkrahë shoqërinë e Kosovës”, tha zoti Rashiç.

Por, qëndrimet e partive shqiptare janë larg një pajtimi, ndërsa gjykata kushtetuese tha në vendimin e saj për anulimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit se “askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e Kryetarit te Parlamentit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve te reja parlamentare”.

Vëzhguesit pohojnë se qëndrimet tërësisht të ndryshme të kampeve politike e bëjnë të domosdoshëm hapjen e dialogut politik të lehtësuar nga presidentja e Kosovës, apo edhe diplomacia perëndimore, qoftë për të formuar institucionet, qoftë edhe për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Presidentja e Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë e lehtësimit të dialogut, por siç është thënë vetëm në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit.

XS
SM
MD
LG