Lidhje

Ukraina lindore në qetësi pas marrëveshjes


Armëpushimi mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë duket se po funksionon në rajonet rusisht-folëse të Ukrainës lindore, duke shtuar shpresat për të paktën një zgjidhje të përkohëshme të konfliktit që ka vazhduar prej pesë muajsh. Megjithatë, Rusia u zotua sot të kundërveprojë nëse Bashkimi Evropian vendos një raund të ri sanksionesh ndaj Moskës, si ndëshkim për mbështetjen e separatistëve pro-rusë:

Në Mariupol të Ukrainës, skenë e inkursionit rus të kësaj jave, disa banorë shprehen skeptikë për suksesin e armëpushimit:

“Mendoj se nuk ka shpresë që armëpushimi të respektohet. Ata janë përpjekur disa herë të ndalin luftimet, por gjendja në vend edhe tani, si më parë, nuk është e qetë”, tha një banore në Mariupol.

Armëpushimi u miratua të premten, nga të dërguarit e qeverisë së Kievit, përfaqësuesit e separatistëve, Moskës dhe Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.

“Armëpushimi është një masë e imponuar për të ndalur gjakderdhjen në popullatë”, tha Igor Plotnitksy, udhëheqës i separatistëve.

“Në këtë dokument ka 12 hapa praktike për të vendosur paqen dhe stabilitetin në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, duke trajtuar respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë si supreme. Siç e kemi thënë, çështja themelore tani është gjetja e një zgjidhjeje paqësore për krizën në Ukrainën lindore”, tha presidenti Poroshenko.

Një zëdhënës i Presidentit rus Vladimir Putin e përshëndeti marrëveshjen dhe shprehu shpresën se të gjitha pikat e saj do të zbatohen nga palët, për të sjellë një zgjidhje të plotë të krizës.

Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë të mbledhur dje për takimin e NATO-s thanë se ende po planifikojnë një raund të ri sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, si mënyrë për të mbajtur nën presion Kremlinin për mbështetjen që u ka dhënë separatistëve.

Konflikti që filloi në prill ka lënë mbi 2 mijë e 600 të vdekur dhe mijëra të zhvendosur.

XS
SM
MD
LG