Lidhje

Situata në BSH, Rama takon Nishanin


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama u takua sot me presidentin Bujar Nishani për të diskutuar me të mbi situatën e krijuar në Bankën Qendrore pas arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani dhe propozimit të mbrëmshëm të Këshillit Mbikqyrës të Bankës për shkarkimin e tij. Zoti Rama ka patur gjatë ditës takime dhe me anëtarë të Këshillit Mbikqyrës si dhe zëvendës guvernatoren Elizabeta Gjoni e cila ka marrë tani kompetencat e drejtimit ekzekutiv të Bankës. Ndërkohë zoti Fullani dhe Inspektorja e Përgjithshme e Bankës Elivar Golemi, u paraqitën sot në gjykatë për t’u njohur me masën e arrestit.

Situata në BSH, Rama takon Nishanin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

​Që prej ditës së djeshme kryeminisri Edi Rama ka zhvilluar një seri takimesh konsultative lidhur me situatën e krijuar në Bankën e Shqipërisë pas arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani. Sot ai është takuar dhe me presidentin Bujar Nishani. Sipas një njoftimi të shkurtër nga qeveria “pikëpamjet e tyre kanë qenë plotësisht konvergjente lidhur me domosdoshmërinë e sigurimit të një vijimi sa më të qëndrueshëm të punës së Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që në çdo hap të mëtejshëm drejt normalizimit, duhet mbajtur parasysh, qoftë forcimi i pavarësisë së institucionit, qoftë garantimi i standardeve më të larta të profesionalizmit në drejtimin e Bankës së Shqipërisë”. Presidenti është institucioni i cili i propozon parlamentit guvernatorin e Bankës, duke zgjedhur një nga anëtarët e Këshillit Mbikqyrës.

Këshilli i mbledhur mbrëmë me urgjencë vendosi t’i propozojë parlamentit shkarkimin e guvernatorit, ndërsa i dha mbështetjen e tij zëvendëses së parë Elizabeta Gjoni, e cila ka marrë automatikisht kompetencat e drejtimit ekzekutiv të Banës në mungesë të guvernatorit. Kryeministri Rama ka takuar sot disa nga anëtarët e Këshillit si dhe më pas ka biseduar edhe me zonjën Gjoni për t’i shprehur, sic shpjegon një njoftim i qeverisë “qëndrimin në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe të ekipit të teknicienëve të institucioni” duke nënvizuar se “respekti për profesionalizmin e mirënjohur të të cilëve mbetet i palëkundur”. Kryeministri ka shprehur bindjen se “Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë, më e sigurtë dhe më transparente nga ky proces i vështirë, por i shëndetshëm ndryshimi, në një kohë kur sistemi bankar në tërësi është solid e në rritje të ndjeshme”.

Ndërkaq sot guvernatori Ardian Fullani dhe Inspektorja e Përgjithshme Elizabeta Gjoni dolin për herë të parë para gjykatës, për t’u njohur me masën e arrestit. Ata akuzohen nga prokuroria për “Shpërdorim detyre”, një vepër për të cilën sipas avokatëve ata nuk duhet të qëndrojnë në arrest. “Masa e arrestit me burg është ekstreme dhe ligji i përcakton kushtet kur zbatohet, kur ëhstë një vepër tej mase e rëndë, kur ka një minimum dënimi nga 5 deri me dënim me burgim të përjetshëm. Por në këtë rast personi nuk përbën një shkallë të lartë rrezikshmërie, pasi është një personalitet i sistemit bankar ndërsa njëkohësisht vepra për Shpërodrim detyre parashikon një dënim maksimal me 7 vjet burgim”, deklaroi Maksim Haxhia, avokat mbrojtës i zotit Fullani.

Gjykata nuk mori parasysh kërkesën e avokatëve për ndryshimin e masës së sigurisë. Këta të fundit njoftuan sot se do t’i drejtohen që nesër gjykatës së Apelit.

Ndërkohë nesër komisioni i Ekonomisë pret që pas mbërritjes zyrtarisht të propozimit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës, të nisi procedurat e shkarkimit për guvernatorin Fullani. Të njejtin fat pritet të ketë edhe Isnpektorja e Përgjithshme, e cila zgjidhet dhe shkarkohet vetëm nga parlamenti. Në të njejtën kohë do të vazhdojnë edhe seancat dëgjimore, ku nesër është parashikuar të paraqitet anëtarja e Këshillit Ermelinda Meksi dhe Ardian Civici.

XS
SM
MD
LG