Lidhje

Shtëpia e fëmijërisë së Johnny Cash hapet për publikun


Shtëpia ku është rritur legjenda amerikane e muzikës country Johnny Cash është hapur për publikun në Arkansas. Fondet dhe relike të familjes dhe miqve të këngëtarit kanë ndihmuar historianët të restaurojnë një pjesë të rëndësishme të shtëpisë në qytezën Dyess, ku ai u rrit gjatë Depresionit të Madh.

Kjo është shtëpia ku një djalë i quajtur Johnny u rrit në një familje fermerësh, duke punuar në fushat e pambukut me vëllezërit e motrat e tij. Ai djalë u bë më vonë një nga këngëtarët country më të famshëm në botë, Johnny Cash, vargjet e të cilit flasin dhe për ditët e fëmijërisë së tij.

Dhjetëra këngë të njohura të tij si "Folsom Prison Blues", "I Walk the Line" dhe Sunday Morning Coming Down" përkufizojnë personazhin e Johnny Cash: një përfaqësues dinjitoz, i thellë dhe i fortë i njerëzve të shtresës punëtore, i shtypjeve, i dhimbjeve dhe historive të jetës së përditshme.

Tani, adhurues dhe njerëz të dhënë pas historisë mund të vizitojnë shtëpinë e fëmijërisë së tij, në Dyess të shtetit Arkansas, ku mund të përjetojnë kushtet e jetës në Amerikën gjatë Depresionit.

Ruth Hawkins, drejtore ekzekutive e programit të objekteve të trashëgimisë në Universitetin e Shtetit Arkansas, thotë se ato janë shpesh shokuese për njerëzit që janë mësuar me rehatinë e jetës moderne

"Shumica e njerëzve sot nuk kanë asnjë ide se si ishte të jetoje pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje apo pa ajër të kondicionuar. Ata nuk kishin asnjë nga këto gjëra, ishte një jetë shumë e thjeshtë," thotë ajo.

Johnny Cash u lind në Kingsland, në Arkansa-n e jugut, por u rrit këtu në të ashtuqurën Kolonia Dyess. Gjatë Depresionit të Madh, qeveria amerikane ofroi mbështetje për fermerët e kësaj zone duke financuar shtëpi dhe spitalet si shpërblim për ata që punin në fushat e pambukut përreth, si pjesë e një eksperimenti të vitit 1930. Eksperimenti u zbeh rreth viteve 1950, ndërsa zhvillimi ekonomik i pasluftës tërhoqi fermerët në qytete.

Por pak dekada më parë, në fund të të viteve 1920-1930 përmbytjet dhe thatësirat e vazhdueshme kishin bërë që shumë fermerë të falimentonin

"Më pas qeveria rekrutoi pesëqind familje fermerësh të varfra në dëshpërim që të tranferoheshin këtu, si një shans për një fillim të ri në jetë. Dhe sigurisht familja e Johnny Cash-it, pra prindërit e tij, ishin në mesin e familjeve që u rekrutuan të vinin këtu," shpjegon zonja Hawkins.

Shtëpia e restauruar me pesë dhoma, në veriperëndim të qytezës, përmban sende që i përkisnin prindërve të këngëtarit, duke përfshirë një piano në dhomën e ndenjjes. Johnny Cash ndante një dhomë gjumi në hyrje të shtëpisë me tre vëllezërit e motrat e tij. Edhe pse kishte një banjë dhe vaskë, shtëpia nuk pati kurrë ujë të rrjedhshëm. Energjia elektrike erdhi në vitin 1945.

Fama e Johnny Cash-it ndihmon për të tërhequr vizitorë të cilët paguajnë 10 dollarë për të parë shtëpinë e fëmijërisë së tij si dhe muzeun e Ndërtesës Administrtive të Kolonisë Dyess. Banorë aktualë dhe të mëparshëm të qytezës Dyess ndihmojnë për mobiljet e dy objekteve turistike.

"Të jesh në gjendje të shohësh se ku u rrit Johnny Cash dhe kushtet në të cilat ai u rrit të bën ta kuptosh atë thellë si njeri dhe se si fëmijëria këtu në Dyess ndikoi muzikën e tij, si drejpërdrejt ashtu dhe në mënyrë indirekte. Gjithashtu mendoj se fillon të kuptosh se si vlerat e tij janë krijuar këtu, si etika e tij e punës. Ai ishe shumë punëtor që kur ishte i vogël, gjatë kohës kur u zhvendos këtu, tre vjeç. Pra etika e tij, dashuria e tij e për familjen, dashuria e tij për njerëzit dhe për personat që vuanin ishin të gjitha vlera që ai krijoi këtu në Dyess," thotë zonja Hawkins.

Në muze, libri i vitit 1950 i shkollës së mesme të Johnny Cash-it në Dyess qëndron në një kënd të veçantë, krahas uniformës së tij të forcave ajrore, ku ai shërbeu dhe ku mësoi kitarën ndërsa ishte i dërguar me trupat në Gjermani. Ai e nisi karrierën e tij muzikore pas vitit 1954, pasi u lirua.

Qyteza Dyess, në kulmin e saj, kishte më shumë se 2 mijë e 500 banorë. Tani, popullsia është më pak se 500 njerëz.

Johnny Cash, një figurë legjendare e muzikës amerikane duke përfshirë rrymat country, rock dhe folk, i njohur në mbarë botën dhe si "Njeriu me të zeza", vdiq në vitin 2003, për shkak të komplikimeve nga diabeti.

XS
SM
MD
LG