Lidhje

Monsinjor Masafra - E presim me shumë gëzim


Një klerik i lartë katolik , i tha Zërit të Amerikës se janë në përfundim përgatitjet për të pritur Papa Françeskun, i cili do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë Engjëll Masafra, tha se shpreson që vizita e Papës të jetë një nxitje që njerëzit të largohen nga e keqja dhe të përqafojnë të mirën. Me Monsinjor Masafrën bisedoi korrespondenti ynë në Shkodër, Pëllumb Sulo.

Zëri Amerikës: Monsinjor Masafra, Ju drejtoni Arqipeshkvinë Shkodër-Pult dhe njëherazi jeni edhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Si po e prisni vizitën që Ati i Shenjtë do të zhvillojë në Shqipëri?

Monsinjor Masafra: E presim me shumë gëzim dhe, kur na ka njoftuar publikisht se do të vinte, jemi mahnitur për përgjigjen kaq të shpejtë ndaj kërkesës që ne i kishim bërë dhe që i kishte bërë edhe Kryeministri. Për këtë ne e falenderojmë dhe në çdo kishë jemi duke lutur Zotin për mirëvajtjen e ardhjes së Papës. Është një vizitë baritore, si e një babe që shkon për të takuar fëmijët. Duke ardhur në Shqipëri, Ai do të bëjë një zhytje në një vend të varfër, të bukur, por me njerëz shumë të fortë e të guximshëm, për të na këshilluar dhe për të na ngushëlluar për vuajtjet tona si dhe për të na dhënë udhëzime për ungjëllizim të ri. Sepse ne jemi pikërisht në këtë ecje duke ndjekur gjurmët e Shenjt Gjon Palit II dhe Papës se XVI, që të vazhdojmë me ungjëllizim të ri. Dhe, duke patur parasysh nxitjen apostolike që ka bërë “Gëzimi Ungjillit” duke na dhënë edhe ne disa udhëzime për të vazhduar ungjëllizimin, duke vlerësuar të kaluaren fetare, metodën e ungjëllizimit dhe duke na dhënë disa nxitje për të ardhmen.

Zëri Amerikës: Monsinjor Masafra, në çfarë faze janë përgatitjet për pritjen e Atit të Shenjtë, Papa Franceskut?

Monsinjor Masafra: Mendoj se jemi në mbarim, domethënë, jemi në përfundim nga ana fetare, kishtare dhe nga ana e shtetit. Janë marrë vesht për gjithçka që do të bëhet. Në këto ditë do të fillojë pjesa e sheshit për tu bërë gati podiumi, me ekranet dhe gjithçka, gjë që është edhe pjesa më e vështirë dhe më e kushtueshme. Gjithçka do të jetë gati nga ana e strtukturës. Ndërsa nga ana e përgatitjes shpirtërore, e fjalimeve, gjithçka është gati, qoftë fjalimi që do të mbajë imzot Mirdita për përshëndetjen pas meshës, qoftë fjalimi që do të mbaj unë.

Zëri Amerikës: Monsinjor, kjo është vizita e dytë e një Pape në Shqipëri. Çfarë presin në të vertetë shqiptarët nga kjo vizitë që do të mbahet më 21 shtator?

Monsinjor Masafra: Unë mendoj dhe lus që Papa, duke ardhur do të na mbështesë në fenë tonë, flas për katolikët, dhe do të na nxitë duke na dhënë udhëzimet e duhura që të vazhdojmë. Unë pres që të rinjtë dhe të rejat të dashurojnë më shumë vendin tone, që të mos largohen të gjithë jashtë, sepse është një varfërim kur intelektualët dhe shumë të rinj largohen. Dhe që dikush, duke dashur vendin tonë ashtu si martirët tanë, të marrë përsipër nëse zoti e thërret, që të jetë meshtar apo motër, të jenë prindër e nëna të mira. Kjo është edhe gjëja kryesore. Dhe që çdo shqiptar, duke takuar dhe dëgjuar Papën, të bëhet më i mirë. Ky është edhe urimi dhe lutja. Besoj se kemi nevojë që të largohemi nga e keqja, të mos bëjmë keq me qëllim, të largohemi nga vjellja, korrupsioni. Gabime dhe dobësi ka kudo, por ardhja e Papës të na rindezë atë shpresën që pak a shumë e kemi humbur. Kemi nevoje që, së bashku me Zotin, të ecim për një shpresë që nuk gënjen dhe që është Zoti.

Zëri Amerikës: Faleminderit

Monsinjor Masafra: Faleminderit juve. Dhe Zoti ju ndihmoftë. Mirëardhëshi në Shqipëri. Më 21 shtator do të “pushtojmë” Tiranën me dashurinë dhe me entuziazmin tonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG