Lidhje

Yatsenyuk: Putin dëshiron të shkatërrojë Ukrainën


Kryeministri i Ukrainës thotë se presidenti rus Vladimir Putin kërkon ta shkatërrojë Ukrainën si një vend i pavarur, pavarësisht arritjes së një marrëveshje armëpushimi. Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin dje tha se sanksionet e BE-së minojnë "procesin e paqes" në Ukrainën lindore.

Duke folur në një konferencë ndërkombëtare sot në Kiev, Arseniy Yatsenyuk tha se qëllimi i zotit Putin është pushtimi i gjithë Ukrainës, një ish republikë sovjetike.

Kryeministri Yatsenyuk përshëndeti raundin e ri të sanksioneve ekonomike të Perëndimit ndaj sektorëve rusë të energjisë, financave dhe mbrojtjes.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë thotë se Rusia tashmë është duke ndjerë pasojat e sanksioneve të reja, të cilat përfshijnë tërheqjen e ndihmës perëndimore për përpjekjet e Rusisë për kërkime për naftë në thellësi të ujërave të Arktikut.

"Ekonomia ruse ka marrë një goditje të rëndë. Kjo mund të matet në mënyra të ndryshme, nga shumat e konsiderueshme të parave që banka qendrore ruse ka shpenzuar në përpjekjet për të mbështetur monedhën ruse, deri te largimi masiv i kapitalit nga Rusia. Rusia varet dhe i vlerëson disa lloje të investimeve ndërkombëtare që ka qenë të rëndësishme për ekonominë e saj, por ne në fakt kemi parë largimin e kapitalit privat për shkak se Rusia po izolohet gjithnjë e më shumë".

Edhe pse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Rusia të paguajë për shkak të shkeljeve të saj në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se sanksionet e fundit mund të anulohen në qoftë se Moska dhe separatistët pro-rusë e zbatojnë plotësisht një marrëveshje armëpushimi të arritur në fillim të këtij muaji. Presidenti Putin dje tha se sanksionet e BE-së minojnë "procesin e paqes" në Ukrainë lindore.

"Përdorimi i sanksioneve duket disi i çuditshëm duke marrë parasysh zhvillimet e fundit. Unë nuk i kuptoj arsyet e sanksioneve të fundit. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen që procesi ka filluar të ndjek një rrugë paqësore. Sepse në një pikë, dhe kam folur në lidhje me këtë shumë herë, partnerët tanë perëndimorë lejuan që situata në Kiev të shkonte deri në përmbysjen antikushtetuese të qeverisë. Më pas ata mbështetën operacionin ndëshkues në juglindje të Ukrainës, dhe tani kur gjërat kanë filluar të marrin një rrugë më paqësore, janë marrë hapa që kanë për qëllim pengimin e procesit të paqes".

Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Moskën për mbështetjen e kryengritjes në Ukrainë. Moska ka mohuar akuzat se ajo ka mbërshtetur rebelët rusë me armë dhe trupa.

XS
SM
MD
LG