Lidhje

Policia dhe diskriminimi racor në SHBA


Vrasja muajin e kaluar e një adoleshenti afrikano-amerikan të paarmatosur nga një oficer policie i bardhë në Ferguson të shtetit Mizuri, ka tërhequr vëmendje të re ndaj akuzave të tjera për forcë të tepruar dhe paragjykim kundër minoriteteve racore dhe komuniteteve të varfra, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Një turmë e përbërë kryesisht nga afrikano-amerikanë demonstruan kohët e fundit në Nju Jork për të protestuar vdekjen në muajin korrik të Eric Garner.
Ai vdiq pasi një polic i mori frymën duke e shtrenguar, ndërsa përpiqej ta arrestonte me disa polic të tjerë për keqbërje.
Jumaane Williams është anëtar i këshillit bashkiak të Nju Jorkut. Në vitin 2011, ai dhe një mik i tij, gjithashtu afrikano-amerikan, u shtynë dhe u arrestuan gabimisht gjatë një parade.

"Të dy përfunduam në pranga. Unë besoj fuqishëm, dhe e kam thënë më pas, se në qoftë se ne do të ishim me ngjyrë tjetër, kjo nuk do të kishte ndodhur në atë mënyrë që ndodhi."

Ai thotë se ndërsa shumica e oficerëve të policisë shërbejnë me nder, disa kanë paragjykime dhe e shprehin këtë duke vepruar më shumë ose duke përdorur forcë të tepruar kundër njerëzve me ngjyrë apo të varfërve.

"Është diçka që duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe ajo që më shqetëson më tepër sa i përket mos trajtimit të çështjes së racës dhe klasave që trajtohen ndryshe nga policia, është se kështu zhvlerëson komunitete të tëra dhe përvojat që ata kanë patur."

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ka njoftuar plane për ritrajnim të policëve për përdorimin e forcës dhe marrëdhëniet me komunitetin.
Trajnimi efektiv anti-racor është gjithashtu i nevojshëm, thotë ish polici Eugene O'Donnell. Por ai thotë se gabimet dhe abuzimi në polici nuk janë problemi kryesor.

"Jo se nuk ka probleme në botën e policisë, por çështjet kryesore shkaktohen nga ligjet që miratohen çdo vit. Pse është autoriteti i policisë kaq i gjerë? Pse është pothuajse e pamundur të dënosh policë që kryejnë krime në detyrë? Ata ndihmohen nga aktet legjislative dhe shpesh nga vendimet gjyqësore dhe prokuroriale. "

Zoti O'Donnell thotë se fokusi tek policia lë pas dore problemin e vërtetë: ligjet e shumta, udhëzimet për fletë arrestet dhe dënime, që çojnë në burg njerëzit e komuniteteve të varfra, sidomos të pakicave.

XS
SM
MD
LG