Lidhje

Mënyra të reja për të bllokuar metastazat e kancerit.


Kanceri vazhdon të jetë një nga sëmundjet më vdekjeprurëse, pavarësisht nga shumë mënyra të reja për ta luftuar. Mjekësia moderne ka kura për të parandaluar rritjen e qelizave bazë të tumorit. Por, shumica e vdekjeve nga kanceri shkaktohen nga metastazat – faza kur qelizat fillestare të tumorit ndryshojnë dhe lëvizin drejt pjesëve të tjera të trupit. Një skuadër shkencëtarësh belgë thonë se kanë gjetur një mënyrë për të parandaluar këtë proçes.

Metastazat ndodhin kur qelizat kanceroze të tumorit futen në qarkullimin e gjakut dhe gjejnë terren të ri.

Shkencëtarët belgë në Universitetin Katolik de Louvain thonë se kanë zbuluar mënyra për të parandaluar metastazat tek qelizat kancerogjene të minjve.

“Kur ka pak metastaza, është ende e menaxhueshme nëpërmjet terapisë. Por kur ka metastaza të shumta në të gjithë trupin, atëherë vlen vetëm trajtimi lehtësues. Ajo që ne kemi zbuluar është një kurë për të parandaluar metastazat. Kjo ofron shpresa të mëdha për pacientët që rrezikojnë të kenë metastaza”, thotë profesor Pierre Sonveaux.

Specialistët e kancerit thonë se metastazat janë një proçes i komplikuar për të cilin dihet shumë pak.

“Për metastazën, qelizave u duhet të ndryshojnë formë dhe ne ende nuk kuptojmë se si ato transformohen”, thotë Dr. Chris Bakal i Institutit Kërkimor për Kancerin në Londër.

Ekipi belg i udhëhequr nga Pierre Sonveaux ka zbuluar mekanizmin nëpërmjet të cilit qelizat mund të kontrollojnë ndryshimet e shkaktuara pjesërisht nga materiale bazë siç superoksidi. Testet tek minjtë me qeliza kancerogjene tregojnë se nëse jepet antioksidant, atëherë ndalohet prodhimi i superoksidit. Si pasojë, kjo parandalon transformimin e qelizave që mund të çojë në metastaza.

“Në disa raste kemi patur edhe reagim 100%, që do të thotë se kemi parandaluar 100% përhapjen e metastazave. Kur një shkencëtar zbulon diçka të tillë është e jashtëzakonshme dhe është një rezultat i mirë.”

Puna kërkimore u botua tek revista Cell Reports, dhe është vlerësuar nga shkencëtarë të tjerë. Chris Bakal i Institutit Kërkimor për Kancerin në Londër, thotë se ky zbulim mund të çojë në zhvillimin e një terapie për të parandaluar përhapjen e qelizave kancerogjene duke iu bllokuar rrugën elementëve të lirë.

“Mendojmë se duke ndërprerë kanalet e komunikimit për elementët e lirë, mund të krijohet një mënyrë terapie për të përmbajtur metastazat, gjë për të cilën nuk kishim siguri në të shkuarën. Pra, nëse ulim nivelin e elementëve të lirë në qelizat kancerogjene, ndoshta mund të parandalojmë metastazat.”

Studiuesit belgë thonë se tani dëshirojnë të zbulojnë nëse kjo strategji mund të përdoret për të parandaluar metastazat në lloje të tjera tumoresh, si kanceri në shtyllën kurrizore, në mushkëri ose në prostat. Hapi i ardhshëm do të jetë krijimi i ilaçeve të duhura dhe testimi i tyre tek pacientët me kancer.

XS
SM
MD
LG