Lidhje

Sfidat e luftës kundër ISIS


Ndërkohë që sulmet ajrore të koalicionit po godasin militantë në Siri, administrata e Presidentit Obama bën thirrje për mbështetje më të gjerë ndërkombëtare për të luftuar terroristët e Shtetit Islamik. Por, analistët thonë se koalicioni ndërkombëtar që po krijohet nga SHBA mund të hasë pengesa ndërkohë që lufta kundër militantëve vazhdon.

Pak pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan një tjetër valë sulmesh ajrore kundër militantëve në Siri, Presidenti Barack Obama bëri thirrje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për më shumë ndihmë në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Rreth 40 kombe tashmë janë ofruar t’i bashkohen koalicionit. Sot, unë i bëj thirrje botës t’i bashkohet kësaj përjekjeje.”

Ndërkohë që koalicioni ndërkombëtar në rritje po shton përpjekjet për të mundur militantët në Irak dhe Siri, ngrihet pyetja “çfarë ndodh më pas?”, thotë Daniel Serwer i Institutit të Lindjes së Mesme.

“Duhet t’i përgjigjemi pyetjes ‘çfarë ndodh më pas?’. Pasi të kemi mundur Shtetin Islamik, çfarë do të ndodhë? Kush do të qeverisë territorin që do të çlirohet?”

Zoti Serwer thotë se nëse koalicioni i udhëhequr prej SHBA-së nuk mundet ta formulojë përgjigjen, ajo do të shfaqet vetë.

“Do të shfaqen radikalë nga diku që do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Prandaj është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mendojnë për të ardhmen.”

Një tjetër sfidë që mund të lindë gjatë luftës kundër militantëve Islamikë është se tensionet e vjetra ndërmjet anëtarëve të koalicionit mund të rëndohen më tej, thotë analistja e Lindjes së Mesme, Michele Dunne.

“Për momentin i kanë lënë mënjanë disa nga këto diferenca, si p.sh. ndërmjet Arabisë Saudite dhe Katarit, dhe të gjithë po bashkëpunojnë. Por, kjo do të jetë e vështirë të ruhet në periudhën afatgjatë.”

Ndërkohë që lufta vazhdon, zonja Dunne thotë se është e rëndësishme që administrata Obama të tregojë se është e gatshme të ruajë përqëndrimin mbi këtë çështje, për sa kohë që të jetë e nevojshme.

XS
SM
MD
LG