Lidhje

Qyteti Lviv në Ukrainën perëndimore dhe konflikti në lindje

  • Al Pessin

Qyteti Lviv në Ukrainën perëndimore krenohet me të qenit gjeografikisht, por dhe nga ana kulturore, pranë Evropës Perëndimore. Separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të vendit ndodhen 1200 kilometra larg, dhe nga botëkuptimi i vendasve duket sikur janë edhe më larg. Megjithatë, siç njofton korrespondenti Al Pessin i Zërit të Amerikës, lufta ka ndikimin e saj mbi qytetin.

Qyteti Lviv ka bukuritë e së vjetrës, me rrugët me kalldrëm që qarkojnë ndërtesën e vjetër të bashkisë, ku festimet dhe dasmat ukrainase shpesh ndërthuren me turistët e huaj në tregun e hapur. Është një vend ku njerëzit kanë ardhur madje edhe nga zonat e konfliktit për të gjetur pak rehati.

Por, kryebashkiaku Andriy Sadovyi, ballkoni i zyrës së të cilit ndodhet pikërisht mbi tregun e rrugës, thotë se trazirat nuk janë larg mendjes së tyre:

“Ne jemi Ukrainë dhe të gjithë ukrainas. Kemi një tragjedi në pjesën lindore, që reflektohet në zemrat e çdo qytetari në Lviv. Jemi vërtet të shqetësuar. Por, duhet të kuptojmë se puna jonë e mirë është gjithashtu pjesë e suksesit të vendit.”

Kjo reflektohet edhe tek biseda me njerëzit.

“Jam e trishtuar për çfarë po ndodh në vend. Uroj që asnjë vend tjetër të mos përjetojë ato që po kalojmë ne.”

“Ishim të nervozuar dhe të shqetësuar. Ndjejmë dhimbje për ngjarjet që po zhvillohen në vend.”

Por kur shikon arkitekturën klasike dhe kishat e vjetra në Lviv, është e vështirë të besosh se qytetet janë shkatërruar në një pjesë tjetër të vendit. Kjo shkakton njëfarë shkëputjeje, pohon Taras Voznyak, i cili ka botuar revistën “I” që në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe tani po kandidon për deputet:

“Nuk jemi krejtësisht të izoluar nga ç’po ndodh në lindje. Por, e kuptojmë se njerëzit në Donbas, në lindje të Ukrainës, duhet të vendosin vetë nëse duan të marrin pjesë në ndërtimin e një kombi të ri politik ukrainas, ose të shkëputen prej tij.”

Ky vendim është komplikuar nga ndërhyrja e Rusisë, por në qytetin Lviv njerëzit nuk lënë vend për dyshim për drejtimin ku duan të shkojë qyteti i tyre dhe vendi.

“Perëndim apo lindje? Unë do të thoja drejt perëndimit. Nuk di se ç’do të na sjellë Perëndimi, por do të më pëlqente nëse do të kishim më shumë liri. Kjo do të ishte e para.”

“Perëndim, dhe vetëm perëndim. Mjaft kemi patur prej lindjes deri tani.”

Këtu, është e lehtë të imagjinosh Ukrainën si pjesë të Bashkimit Evropian, ashtu siç e dëshiruan protestuesit që rrëzuan qeverinë në muajin shkurt. Shumë prej tyre ishin nga kjo zonë. Por muajt që pasuan, treguan se nuk do të jetë aq e shpejtë dhe aq e lehtë siç e kishin ëndërruar.

XS
SM
MD
LG