Lidhje

Interneti dhe teknologjia në gazetari

  • Elizabeth Lee

Zhvillimi i shpejtë i Internetit dhe teknologjisë po ndryshon mënyrën se si njerëzit i marrin lajmet dhe se si gazetarët i i shpërndajnë ato. Tani ka më shumë mënyra se kurrë më parë për të treguar një ngjarje. Një shkollë në Los Anxhelos po u jep mësim gazetarëve të brezit të ardhshëm me ndihmën e një redaksie të teknologjisë më të fundit. Elizabeth Lee raporton.

Kur Faith Miller shfaqi dëshirën të studionte gazetari në universitet, ajo nuk ishte e përgatitur për atë që e priste:

“Nuk mendoja që në shkollë do të raportoja për ngjarje reale, dhe nuk e dija se sa shumë punë duhet për këtë.”

Ndryshe nga brezat e kaluar, studentët e Shkollës së Gazetarisë Annenberg të Universitetit të Kalifornisë Jugore mësojnë si të shpërndajnë lajmin nëpërmjet të gjitha platformave, përfshirë televizionin, radion, dhe internetin. Dhe kjo nuk është gjithçka, thotë Willow Bay, drejtor i Shkollës së Gazetarisë:

“Sot ne presim që gazetarët të jenë në gjendje të përdorin mjete të shumëllojshme teknologjike për të hulumtuar, verifikuar, dhe analizuar punën e tyre kërkimore. Presim prej tyre që të zotërojnë rrjedhshëm aftësitë e të treguarit të një historie në multimedia. Presim gjithnjë e më shumë prej tyre që të zhvillojnë vetë marketingun dhe shpërndarjen, të paraqesin historitë e tyre përpara audiencave, dhe t’i shpërndajnë ato sa më gjerë të munden.”

Studentët e gazetarisë i mësojnë të gjitha këto gjëra në këtë qendër të re mediatike, një redaksi e së ardhmes ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin punojnë me televizionin, radion dhe internetin. Atyre u duhet gjithashtu të kenë njohuri teknologjike dhe kjo do të thotë që duhet të mësojnë bazat e programimit kompjuterik.

“Ata duhet të dinë si funksionon interneti dhe si të ndërhyjnë në të.”

Profesori i gazetarisë dixhitale Robert Hernandez demonstron disa nga mjetet më të fundit të internetit që korrespodentët mund të përdorin për të treguar historitë e tyre në një mënyrë të ndryshme:

“Mund të krijosh një panoramë 360 gradëshe nëpërmjet telefonit. Mund të përshkruash se si duket një tornado kur shkul pemët nga toka. Nëpërmjet një programi në telefon mund të bashkohen copëzat e pamjeve.”

Studentën mund të regjistrohen edhe në një kurs gjatë të cilit eksperimentohet me Google Glass, një paisje që lidhet me internetin dhe regjistron video dhe audio.

Will Federman është student i gazetarisë së shtypur dhe asaj dixhitale:

“Mendoj se në tregu në të cilin po hyjmë tani, nëse nuk ke aftësi të shumta dhe nga pak njohuri për çdo gjë, do jetë e vështirë të gjesh një vend pune.”

Qëllimi nuk është thjesht për të përgatitur studentët për botën reale, por edhe për të ndërtuar njohuritë e tyre teknologjike në mënyrë që ata të përshtaten shpejt kur teknologjia të evoluojë.

Por, gazetarët e ardhshëm duhet të jenë të kujdesshëm me teknologjinë e re, thotë drejtorja ekzekutive e qendrës mediatike, Serena Cha:

“A duhet të kemi kujdes në fushën e gazetarisë se si i mësojmë studentët t’i përdorin këto mjete me përgjegjshmëri? Po. Teknologjia e re ngre shpesh pikëpyetje sepse tashmë është më e lehtë se më parë të manipulohet realiteti.”

Profesorët thonë se në thelb të gjithë kësaj teknologjie, studentëve u duhet të mësojnë gazetarinë tradicionale: të shkruarit dhe të rrëfyerit e një historie interesante në një mënyrë që jetë e saktë, e drejtë dhe e balancuar.

XS
SM
MD
LG