Lidhje

Kurdët sirianë drejt Turqisë, ndërsa ISIS afrohet


Më shumë se 130 mijë refugjatë kanë vërshuar në Turqi nga Siria gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që grupi xhihadist Shteti Islamik ka shtuar trysninë ndaj qytetit kufitar sirian Kobane. Autoritetet turke u përleshën me qindra protestues kurdë, shumë prej të cilëve duan të shkojnë në Siri për të mbrojtur kurdët e atjeshëm prej këtyre sulmeve. Grupi militant, i njohur gjithashtu si ISIL ose ISIS, publikoi të hënën një deklaratë duke u bërë thirrje myslimanëve që të vrasin perëndimorët e vendeve të cilat janë bashkuar me fushatën kundër tij.

Luftëtarët kurdë në veri të Sirisë po luftojnë për të ndalur përparimin e militantëve të Shtet Islamik. 19-vjeçari Dalil Boras i filmoi këto pamje me telefonin e tij celular. Të dielën, ai kaloi familjen e tij përtej kufirit turk për të qenë të sigurtë. Tani ai ka në plan të kthehet në Siri.

"Beteja ka qenë shumë brutale, sepse ISIS ka 50 tanke. Ata kanë kapur rreth 50 fshatra dhe janë ende duke përparuar dhe duke vrarë të gjithë, fëmijë, gra, këdo që është kurd, duke thënë se janë janë të pafe."

Fluksi i refugjatëve ka nxitur Ankaranë të mbyllë disa kalime kufitare.

Në drejtim të kundërt, qindra luftëtarë kurdë - shumë prej grupit separatist të jashtëligjshëm PKK - kanë udhëtuar drejt Sirisë për të luftuar kundër ISIS-it.

Autoritetet turke janë përpjekur të frenojnë këtë rrjedhë duke përdorur gaz lotsjellës dhe pompa uji për të kthyer pas protestuesit. Zeynep Kaya është e Qendrës së Lindjes së Mesme në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE):

"PKK-ja njihet si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Turqia. Pra, logjikisht, nuk do ta forcojë PKK-në. Dhe ndihma për militantët kurdë në Siri, edhe pse ata janë duke luftuar kundër ISIS-it, do të ishte një ndihmë e drejtpërdrejtë ose e tërthortë ndaj PKK-së."

Por nëse militantët e Shtetit Islamik do të kryenin një sulm mbi Kobane, kurdët do të mund të fajësonin Turqinë që nuk i lejoi të mbronin tokat kurde, thotë studiuesja Kaya:

"Tani për tani, Turqia dhe PKK-ja po komunikojnë, po negociojnë. Dhe kjo ka ulur pakënaqësinë ndaj Turqisë në dy vitet e fundit. Por tani, në qoftë se veprimet e Turqisë çojnë në mënyrë indirekte në veprime të dhunshme ISIS-it, kurdët do të ndjenin sërish urrejtje ndaj Turqisë në kuadrin afat të gjatë," shton ajo.

Pakënaqësia ndaj Turiqisë është ushqyer nga akuzat se vendi ka toleruar, ose dhe ndihmuar, xhihadistë të huaj.

"Ka pasur pohime nga burime të shumta – burime ndërkombëtare, por edhe nga burime rajonale – që luftëtarët që luftojnë për ISIS-in dhe grupe të tjera terroriste të dhunshme kanë shkuar në rajon nëpërmjet kufijve të Turqisë," thotë studiuesja.

Por rreziku për Ankaranë për të mbështetur grupe islamike në Siri do të ishte shumë i lartë, thotë Afzal Ashraf, anëtar i asociuar në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore në Londër.

"Turqia nuk ka vërtet ndonjë interes të mbështetesë militantë islamikë, për shkak se militantët islamikë i kanë shkaktuar Turqisë shumë probleme. Turqia është anëtare e NATO-s, ajo është në shënjestër, kështu që unë nuk shoh ndonjë arsye që Turqia ta bënte këtë," thotë ai.

Nëse ndodh një masakër së shpejti në Kobane, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të detyrohen të vazhdojnë sulmet ajrore mbi tokë siriane - në mënyrë ideale, në marrëveshje me qeverinë e Sirisë, thotë zoti Ashraf.

"Do të ishte një përfitim si për Perëndimin dhe për regjimin e Asadit. Ndërkohë regjimi i Assadit mund të parandalojë që këto forca të fitojnë më shumë terren. Sepse janë hapësirat e paqeverisura që shërbejnë si oksigjen."

Grupi Shteti Islamik ka bërë ndërkohë thirrje që xhihadistët në Perëndim të nisin sulme në Shtetet e Bashkuara dhe Francë - dy vendet që deri tani kanë kryer sulmet ajrore kundër grupit. Analistë të sigurisë thonë se nuk ka tregues për ndonjë komplot terrorist.

XS
SM
MD
LG