Lidhje

Teatri bashkon të rinj izraelitë e palestinezë


Një projekt teatri në Gjermani po sjell së bashku të rinj izraelitë dhe palestinezë. 22 të rinj nga Izraeli, Bregu Perëndimor, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar dy javë duke përgatitur së bashku një pjesë teatrale muzikore, ndërkohë që janë bërë miq përtej kufijve tradicionalë.

Në fshatin e vogël Paretz, në jugperëndim të kryeqytetit gjerman Berlin, këta të rinj – tetë izraelitë, tetë palestinezë duke përfshirë katër nga Bregu Perëndimor, katër amerikanë dhe dy gjermanë – po përgatisin një pjesë teatrale përmes Projektit Teatri i Lindjes së Mesme, krijuar nga muzikanti amerikan Todd Fletcher.

Të gjithë pjesëmarrësit dërguan ese me shkrim, një kërkesë video dhe kaluan një proces intervistimi para se t’u jepej bursa për të ardhur dhe për të interpretuar së bashku, duke bërë miq të rinj përtej kufijve.

Todd Fletcher, një muzikant i lindur në Nju Jork që tani jeton në Berlin, e filloi projektin në vitin 2009 së bashku me Princin Georg Friedrich të Prusisë.

Ky është viti i katërt që projekti realizohet dhe zoti Fletcher thotë se gjithmonë duhet pak kohë para se ata të mësohen me njëri-tjetrin.

"Çdo vit ka një periudhë tensioni. Por ajo nuk do të zgjasë shumë. Ata janë të huaj për njëri-tjetrin dhe kanë dëgjuar shumë gjëra në lidhje me kombësinë tjetër, por në të vërtetë nuk dinë shumë rreth saj, sepse ka shumë pak ndërveprim mes grupeve. Pra, gjatë ditëve të para ka pak tension, por që përfundon shumë shpejt, menjëherë sapo fillojnë punën me muzikën dhe teatrin. Ajo është gjëja që bëhet e rëndësishme," thotë ai.

Adoleshentët e krijojnë vetë idenë për pjesën teatrale muzikore që luajnë dhe janë ata që shkruajnë këngët, me ndihmën e zotit Fletcher. Ata gjithashtu jetojnë së bashku, hanë së bashku dhe shkojnë në ekskursione së bashku.
Elias Alghawaly, një 15-vjeçar nga Bethlehemi, në Bregun Perëndimor, thotë se kombësitë e pjesëmarrësve shpejt bëhen të parëndësishme.

"I lëmë kombësitë tona mënjanë. Nëse je palestinez, nëse je izraelit, gjerman apo nga SHBA-ja ne i lëmë këto detaje mënjanë dhe vetëm punojmë, bëhemi vetëm një grup, pjesë e së njëjtës gjë," thotë ai.

Yael Wolff, një 17-vjeçare nga Ashkeloni i Izraelit, thotë se ata flasin për shumë gjëra, por politika rrallë herë është temë bisedash.

"Ne flasim për çdo person, nga vijnë dhe se si është jeta e tyre. Por nuk debatojmë në lidhje me ato gjëra. Mendoj se të gjithë mendojmë njëlloj, kur është fjala për këto opinione. Ne jemi thjesht fëmijë. Jemi të rinj. Bëjmë gjëra prej adoleshentësh. Pra, nuk është se jemi politikanë të vjetër dhe kemi nevojë të argumentojmë mbi ato tema. Sepse në fund të fundit, edhe nëse debatojmë në lidhje me to, kjo nuk do të zgjidhte asgjë," thotë ajo.

Pjesa teatrale e këtij viti përfshin një histori dashurie përtej kufijve, një president me tendenca diktatoriale dhe një zonjë e parë dashamirëse.
15-vjeçarja Dana Rabinowitz, nga Eshkoli, në Izrael, thotë se ajo ka gjetur miq të rinj gjatë projektit.

"Nuk ka rëndësi nëse je nga Izraeli ose Palestina, apo nga Gjermania. Kjo nuk ka rëndësi, ne të gjithë jemi vetëm miq. Gjithçka këtu ka të bëjë me punën, me përgatitjen e kësaj shfaqjeje, e jo të përqëndrohemi tek politika, sepse ne jemi të rinj. Ne nuk na intereson politika, nuk është e rëndësishme," thotë ajo.

Todd Fletcher thotë se ai mendonte se konflikti i kohëve të fundit në Gaza mes Hamasit dhe Izraelit do ta bënte projektin e këtij viti të vështirë për t’u realizuar. Por studentët thonë se nuk pati ndikim tek ta.
Ramiz Alaraj, 16-vjeç nga Bethlehemi i Bregut Perëndimor, thotë:

"Ne këtu jemi si vëllezër e motra. I harruam gjërat politike dhe filluam një histori të re së bashku. Pra nuk ka problem se nga je. Jemi si vëllezër..."

Dhe ndërsa temat në shfaqjen muzikore janë ndoshta pak më politike se zakonisht, zoti Fletcher thotë se interpretimi dhe puna së bashku është mënyra më e mirë për t’i bërë njerëzit që të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të bëhen miq.

"Në fakt, të qenit një personazh ndryshe, krijimi i një historie dhe realizimi i saj së bashku është me të vërtetë diçka e rëndësishme për ta, në mënyrë që të çlirohen dhe të jenë të hapur me njëri-tjetrin," thotë ai.

Projekti përfundoi më 31 gusht dhe adoleshentët janë kthyer tashmë në shtëpitë e tyre, ndoshta të aftë për të kuptuar më mirë jetën e fqinjëve të tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG