Lidhje

Pacientë me Ebola që nuk kanë ku të trajtohen


Dr. Osman Bah, drejtor i spitalit qeveritar të Makenit, thotë se rastet me Ebola janë shtuar ndjeshëm në javët e fundit.

"Më shumë se 100, 150 raste, sepse kemi dërguar 56 pacientë në Kailahun. (Në qendrën e trajtimit të organizatës Mjekë pa Kufij) Sot në mëngjes patëm më shumë se 100-110 pacientë."

Ky kompleks universitar është duke u përdorur si një qendër pritjeje e improvizuar. Në mungesë të qendrave të trajtimit, këta njerëz të sëmurë nuk kanë ku të shkojnë tjetër.
Pacientë me rrezik të lartë ngjitjeje të sëmundjes qëndrojnë në hapësira të hapura. Një grua rri ulur në dysheme, tepër e sëmurë për t’u ngritur. Të prekur të tjerë grumbullohen së bashku në shtretër. Një fëmijë qëndron i vetëm.
Ata presin dhe shpresojnë për një vend në ambulancën e radhës.
Një numër në rritje zonash të reja me shpërthim të epidemisë po krijohen në të gjithë vendin, thotë koordinatorja në terren e organizatës Mjekët pa Kufij Axelle Vandoornick.

"Marrim telefonata çdo ditë nga rrethe në të gjitha anët e vendit, dhe këto rrethe janë absolutisht të tronditura."

Nuk ka një mënyrë për të kuptuar se cilët nga pacientët në pritje janë të prekur nga Ebola. Megjithatë, ata mbahen së bashku.
Personeli mjekësor këtu ka vetëm pak trajnim ose përvojë në lidhje me Ebolën. Pajisjet mbrojtëse janë të pamjaftueshme. Dr. Bah thotë se tre anëtarë të stafit kanë vdekur.

"Nëntëdhjetë e nëntë për qind e rasteve që kemi izoluar rezultojnë pozitivë për Ebolën."

Një nga repartet e improvizuara është bosh. Shtretërit janë të pistë. Pako ilaçesh shihen mbi grumbuj rrobash të lëna nga pacientët e larguar.
Njëzet e pesë pacientë të konfirmuar me Ebola u larguan prej këtu drejt qendrës së trajtimit të Mjekëve pa Kufij në Kailahun natën e kaluar. Katër vdiqën gjatë udhëtimit 16-orësh.Dr. Vandoornick thotë se çdo ditë numrat po rriten.

"Çdo ditë kemi ambulanca që mbërrijnë dhe kur hapim dyert kanë brenda trupa të vdekurish së bashku me njerëz potencialisht të paprekur. Pra ky është burimi i parë i infektimit."

Dy pacientë të rinj sapo u sollën.
Një djalë i vogël shfaq simptoma të Ebolës. Pavarësisht rrezikut, e ëma nuk rresht së qëndruari pranë tij.

"Është tepër. Çdo ditë unë marr 10, 15, 14 ose 12 pacientë, çdo ditë..." thotë një shofer ambulance.

Dr. Vandoornick thotë se disa rrethe nuk kanë qendra të tyre për trajtimit e Ebolës.

"Ata nuk kanë kapacitete të qendrave të Ebolës në rrethin e tyre, kështu që ata përpiqen të dërgojnë pacientët e tyre tek ne."

Dr. Bah thotë se ai nuk ka shpresë që situata do të përmirësohet.

"Tani për tani gjendja nuk është nën kontroll. Ne po shpresojmë që të përmirësohet, por unë kam frikë se ndoshta mund të bëhet më keq."

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve po paralajmëron se pa një shtim të madh të ndihmës ndërkombëtare, rastet me Ebola mund arrijnë në 1,4 milion deri në janar. Ndërkohë pacientët qëndrojnë në pritje, me frikën se mund të vdesin, në një qytet ende pa një qendër për trajtimin ose testimin e Ebolës.

XS
SM
MD
LG