Lidhje

Kërkime të reja për të zhdukurit në Kosovë


Prokuroria serbe për krime të luftës tha se së bashku me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, po shqyrtojnë informacionet për mundësinë e ekzistimit të një varreze masive në një fshat të komunës së Gjakovës në Kosovën perëndimore.

Në një njoftim të kësaj prokurorie thuhet se dyshohet që në fshatin Piskotë të kësaj komune, mund të jenë trupat e pajetë të serbëve të vrarë gjatë viteve 1998-99 në Kosovë. Tash për tash nuk ka njoftime nga EULEX-i për këtë çështje.

Ndërkohë, prokuroria serbe ka nxjerrë një urdhëresë për gërmime të reja në varrezë të dyshuar masive në Batajnicë afër Beogradit. Në atë vend, ku ndodheshin poligonet e stërvitjeve të njësive të posaçme të policisë serbe, më herët ishin gjetur trupat e mbi 800 shqiptarëve të Kosovës.

Prokuroria serbe tha se pas disa hetimeve, komunikimit me dëshmitarë, si dhe me misionin EULEX, janë hedhur dyshimet se mund të gjenden edhe disa trupa në afërsi të varrezës masive, ku ishte gërmuar më parë.

Edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 700 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG