Lidhje

Çfarë i përmirëson pacientët me Ebola?


Në muajin gusht, dy pacientë me virusin vdekjeprurës Ebola u dërguan nga Liberia për në Spitalin e Universitetit Emory. Në shtator, një pacient i tretë u dërgua në Qendrën Mjekësore në Omaha, Nebraska.
Këto dy spitale kanë njësi të veçanta izolimi dhe ekipe që janë të trajnuara për trajtimin e emergjencave me sëmundje infektive. Në këtë video trajnimi të Qendrës Mjekësore të Nebraskës, pacienti transportohet në zonën personale të izolimit. Në Spitalin Universitar Emory, Dr Jay Varkey thotë se trajtimi me anë të përkujdesjes është çelësi për mposhtjen e Ebolës.

"Ajo që kjo përvojë më ka mësuar është se përkujdesja e plotë – pra një infermier në dispozicion, disponueshmëria e laboratorëve, monitorimi i lëngjeve, plotësimi i elektroliteve – janë me të vërtetë disa nga çelësat për të trajtuar virusin Ebola."

Elektrolitet janë substanca kimike që rregullojnë funksionin tonë nervor dhe muskulor, nivelet e lëngjeve, tensionin e gjakut, si dhe janë thelbësorë në rindërtimin e indeve të dëmtuara.
Edhe në qendrat e trajtimit në Afrikën Perëndimore, thotë Dr Varkey, pacientët do të bëheshin më mirë nëse do të kishin një trajtim më agresiv që zëvendëson elektrolitet si kaliumi, magnezi dhe kalciumi, si dhe lëngjet e humbura përmes diarresë dhe të vjellave.
Dy pacientë në Spitalin Emory, Dr. Kent Brantly dhe Nancy Writebol, morën një trajtim eksperimental të quajtur Zmapp. Por ky trajtim është marrë nga kaq pak pacientë me Ebola saqë është e vështirë të thuhet nëse funksionon.

"Bazuar në të gjitha të dhënat në dispozicion që kemi parë, është e pamundur për ne të përcaktojmë nëse ky ilaç ka luajtur një rol në përmirësimin e simptomave të tyre, nuk ka bërë asgjë, apo nëse ka ngadalësuar përmirësimin e tyre."

Mjekët në Spitalin Emory kanë ndarë përvojat e tyre në lidhje me rolin e përkujdesjes së vazhdueshme me mjekët në Afrikën Perëndimore dhe vende të tjera.

"Ne shpresojmë që, duke qenë në gjendje t'i përgjigjemi nevojave për përkujdesje, të jemi në gjendje të ulim nurmin e viktimave dhe atë të të prekurve nga ky virus i rëndë."

Aktualisht, virusi vret shumicën e njerëzve që infekton. Por me ndërtimin e qendrave të reja të trajtimit në Afrikën Perëndimore, me shtimin e furnizimeve dhe me mbërritjen e shumë punonjësve të kujdesit shëndetësor, shumë më tepër pacientë me Ebola pritet të mbijetojnë.

XS
SM
MD
LG