Lidhje

Ebola, kriza më e madhe botërore e shëndetësisë


Një zyrtar i lartë amerikan i shëndetësisë tha se Ebola është kriza më e madhe botërore e shëndetësisë, që nga dalja e virusit HIV që shkakton SIDË-n.

Dr. Thomas Frieden foli të enjten në Washington, në takimin e Bankës Botërore për epideminë e Ebolës, që ka prekur rëndë tre vende të Afrikës Perëndimore dhe ka patur raste në disa vende të tjera.

Zoti Frieden i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, tha se lufta për zhdukjen e epidemisë ka për të qenë e gjatë, sepse virusi ndryshon vazhdimisht. Ai tha se e vetmja epidemic që i ngjan kësaj të tanishmes është SIDA, prandaj tha ai, komuniteti botëror duhet të përpiqet shumë, që Ebola të mos bëhet SIDA e ardhshme.

Në po të njëjtin takim, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon tha se bota ka nevojë për shumëfishimin e përpjekjeve për përballimin e epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore.

Ai i bëri këto komente të enjten në Uashington, në një takim të Bankës Botërore mbi Ebolën në të cilën morrën pjesë përmes video-konferencës kryetarë shtetesh dhe zyrtarëve të lartë nga Guinea, Liberia dhe Sierra Leone.

Zoti Ban bëri thirrje për shtimin e laboratorëve të lëvizshëm, makinave, helikopterëve, pajisjeve mbrojtëse dhe personelit mjekësor.

Presidenti i Bankës Botërore, Jim Jong Kim, tha se, në se epidemia e Ebolës nuk frenohet dhe ndalohet së shpejti, e ardhmja e Afrikës do të vihet në rrezik.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani nga virusi i Ebolës në Afrikën Perëndimore kanë gjetur vdekjen 3,900 persona dhe janë infektuar mbi 8 mijë të tjerë.

XS
SM
MD
LG