Lidhje

Donatorët premtojnë 5.4 miliard dollarë ndihma për palestinezët


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ishte në Kairo të dielën për një konferencë donatorësh për rindërtimin e pjesëve të Rripit të Gazës të shkatërruara gjatë 50 ditë luftimesh mes Hamasit dhe Izraelit.Donatorët nga më shumë se 30 vende premtuan 5.4 miliard dollarë ndihma për palestinezët, gjysma e së cilës për rindërtimin e Gazës dhe pjesa tjetër për të mbështetur buxhetet e brendëshme në territoret palestineze.

Ministri i Jaashtëm i Norvegjisë Borge Brende tha se autoritetet do të menaxhojnë premtimet e bëra për të siguruar dorëzimin e tyre menjëherë. Palestinezët thonë se shuma në fjalë është vetëm gjysma e nevojshme për Gazën. Kjo reflekton shqetësimet mes donorëve lidhur me perspektivën për më shumë dhunë pas tre luftërave në gjashtë vite.

Pa një marrëveshje për një armëpushim të qendrueshëm apo një korrnizë politike për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit, kryediplomati norvegjez tha se ka shumë pyetje legjitime se pse vendet donatore duhet që përsëri të paguajnë faturën për rindërtimin e asaj që palët ndërluftuese kanë shkatërruar.

“Nuk e kemi harruar zgjidhjen me dy shtete. Është në agjendën ndërkombëtare. Tani ka një shtytje politike për të nxitur palët në konflikt që të ulen në tavolinin e negociatave.”

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry udhëhoqi 9 muaj bisedime për një zgjidhje me dy shtete që dështoi në muajin prill. Ai thotë se administrata e presidentit Obama mbetet e gatshme për tu rikthyer në atë proces sëbashku me aleatët në Egjipt dhe Jordani.

“Kemi shpresa të thella se mund të shohim udhëheqësit nga Autoriteti Palestinez dhe Izraeli që të marrin këtë vendim. Ka arsye që ata ta përdorin këtë rast të ndërtimit në rajon dhe udhëheqjes aktuale në rajon, presidenti Sisi, mbreti Abdullah i Jordanisë dhe të tjerë që dëshirojnë të ecet në këtë drejtim dhe duan të kontribojnë. Shpresoj që këta udhëheqës ta kuptojnë se ky është një moment nga i cili duhet përfituar dhe jo menjanuar.”

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas bëri thirrje për fillim të menjëhershëm të bisedimeve për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse me dy shtete që respekton sovranitetin, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit palestinez.

Por ai gjithashtu përsëriti thirrjet për një hetim të veprimeve ushtarake izraelite kundër civilëve gjatë luftimeve të fundit. Ai foli përmes një përkthyesi.

“Ofensiva izraelite dhe rrjedhimisht shkatërrimi i Gazës nuk mund të tolerohen dhe nuk mund të tejkalohet pa ndonjë përgjegjësi.”

Zyrtarët izraelitë nuk ishin të pranishëm në këto bisedime. Por kryeministri Benjamin Netanjahu tha në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar se “fakti që Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së po heton Izraelin në vend të Hamasit e ka tradhëtuar misionin e tij fisnik për të mbrojtur të pafajshmit”.

Sekretari Kerry tha se thyerja e ciklit të dhunës dhe akuzave të ndërsjella nënkupton trajtimin e dy shqetësimeve të menjëherëshme si dhe shkaqet e pakënaqësisë dhe zemërimit që kanë ushqyer këtë konflikt.

Autoritetet egjiptiane thonë se nga fundi i muajit do të rifillojnë bisedimet indirekte mes Izraelit dhe palestinezëve me shpresën për të arritur disa nga premtimet që lidhen me armëpushimin e muajit gusht.

XS
SM
MD
LG