Lidhje

Eurozona, rrezik recesioni të ri


Sot pati shenja të reja se Eurozona mund të ndeshet me një recesion të ri, ndërsa ekonomia e Gjermanisë, vendi evropian me ekonominë më të fuqishme, po tkurret dhe prodhimi industrial në Eurozonë po shënon rënie.

Gjermania, lokomotiva e ekonomisë së Eurozonës, tha se këtë vit pritet të ketë një rritje ekonomike më të vogël, 1,2 për qind, ndërsa rritja për vitin 2015 pritet të jetë 1,3 për qind. Të dyja këto shifra janë rreth një e treta më të ulëta se parashikimet e mëparshme.

Ministri gjerman i Ekonomisë Sigmar Gabriel tha në Berlin se ekonomia e vendit “ndodhet aktualisht në gjendje të vështirë, kur është fjala për tregtinë e jashtme.”

Por ai hodhi poshtë thirrjet nga disa vende të Eurozonës që Gjermania të heqë dorë nga shtytja që qeveria të marrë masa për pakësimin e shpenzimeve. Ai tha se “shtimi i borxheve të Gjermanisë nuk krijon rritje ekonomike në Itali, Francë, Spanjë, apo Greqi.”

Eurozona, që si grup përbën ekonominë më të madhe të botës, njoftoi se prodhimi industrial ra në muajin gusht me 1,8 për qind, në kushtet kur ekonomia Gjermane shënoi një rënie prej 4.8 për qind..

XS
SM
MD
LG