Lidhje

Rindizet debati për cigaret elektronike


Rregullat më të rrepta për cigaret elektronike, që janë rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, do të vinin në rrezik jetën e mbi 50 mijë vetëve, sipas ekspertëve të rehabilitimit në Britani. Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje qeverive që të ndalojnë përdorimin e cigareve elektronike në ambjente të brendshme, si edhe disa rregulla të tjera. Debati për cigaret elektronike po intensifikohet para një konference ndërkombëtare në tetor.

T I M E :

A janë ato më pak të dëmshme sesa cigaret e vërteta?

Një grup ekspertësh të Kolegjit King dhe Kolegjit të Universitetit të Londrës thonë se kufizimet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë do t’i bëjnë duhanpirësit t’i kthehen përsëri cigareve.

Ata thonë se kanë të dhëna që përdorimi i cigareve elektronike, po pakëson përdorimin e duhanit në Britani, që është më i dëmshëm.

OBSH-ja thotë se vendosja e rregullave është një parakusht i rëndësishëm për vendosjen e një baze shkencore për të analizuar efektin e përdorimit të tyre.

Të dhënat për efektin ndaj shëndetit të cigareve elektronike nuk janë të shumta, megjithëse ato filluan të shiten që në vitin 2007 në Shtetet e Bashkuara dhe kanë më pak substanca toksike sesa cigaret tradicionale.

Tregjet më të mëdha janë në Evropa dhe Amerika e Veriut.

Në prill, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve, agjencia rregullatore e Shteteve të Bashkuara propozoi trajtimin e cigareve elektronike si prodhimet e duhanit, me rregulla të njejta, si ndalimi i shitjes për ata që janë nën 18 vjeç dhe vendosjen e mesazheve paralajmëruese.

Shitja ndalohet në 13 nga 59 vendet që kanë rregulla për këto cigare, por mendohet se kjo është kapërcyer nga tregëtia e paligjshme, shitjet përmes internetit në shtete të tjera.

Raporti i OBSH-së po krijon ndarje mes mjekëve gjë që pritet të vihet re në një konferencë në tetor.

Përplasja e mendimeve po bëhet edhe më e dukshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara ku ku një numër qytetesh si Nju Jorku dhe Çikago e kanë ndaluar përdorimin e tyre në vende publike.

Rregullat e rrepta të ndalimit të duhanit i kanë bërë duhanpirësit të kalojnë tek cigaret elektronike, që e nxjerrin nikotinën në formë avulli.

Një nga kritikët kryesorë të hapave të OBSH-së për të kufizuar cigaret elektronike është Robert West, profesor i psikologjisë së shëndetit dhe drejtor i studimeve të duhanit në Kolegjin e Universitetit në Londër.

Ai argumenton se cigaret elektronike nuk i kanë kimikatet e dëmshme që përdoren tek duhani dhe nuk krijojnë tym toksik prandaj shkaktojnë pak ose aspak dëm.

“Ne identifikuam tre grupe që po përpiqeshin të linin cigaren për t’i studiuar. Njëri ishte me njerëz që përdornin vetëm cigare elektronike, grupi tjetër kishte përdorur vetëm produkte të liçencuara nikotine, si çimçakiz me nikotinë, dhe një grup që nuk kishte përdorur asgjë dhe i ndoqëm për të parë nëse vazhduan të mos pinin duhan. Ne krahasuam përqindjen e suksesit tek këto grupe dhe arritëm në përfundimin se ata që po përdornin cigaret elektronike ishin 60 për qind më të prirur që të mos i riktheheshin duhanit, sesa dy grupet e tjera”.

Martin McKee, Profesor i Shëndetit Publik Evropian në Fakultetin e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, i mbështet rekomandimet e OBSH-së. Ai argumenton se kompanitë e duhanit investojnë tek cigaret elektronike sepse e shohin si një rrugë për të rikthyer përdorimin e duhanit në shoqëritë ku është ndaluar.

Shqetësimi i tij kryesor është rinormalizimi i imazhit të duhanpirjes.

“Ky produkt po reklamohet njëlloj si cigaret e vërteta. Është një rrugë e leverdisshme për të shmangur masat ekzistuese të ndalimit, kur këto produkte do t’u duken fëmijëve për shenbull krejtësisht njëlloj. Prandaj unë nuk e pranoj që atë nuk shkaktojnë dëm. Po ashtu, e vërteta është që nikotina nuk është një produkt 100 për qind i sigurt”.

Profesor West i hedh poshtë këto argumenta, duke thënë se duhani shkakton vdekjen e rreth 5-6 milionë vetëve në vit, një shifër astronomike siç thotë ai. Ai thotë se nuk ka të dhëna të vërtetojnë se njerëzit i rikthehen duhanit, pas përdorimit të cigareve elektronike.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga mundësia për të ulur në mënyrë drastike numrin e vdekjeve. Në teori, cigaret elektronike paraqesin një farë rreziku, por ai duhet të krahasohet me përfitimet. Unë jam njëri nga ata që e shohin këtë si mundësi dhe mendoj se duhet ta ndjekim me kujdes dhe nga ana tjetër janë ata që e shohin si kërcënim dhe unë them që e kanë gabim”.

Profesor McKee, e kundërshton me forcë liçencimin nga ana e qeverive të cigareve elektronike, veçanërisht nëse janë kompanitë e duhanit që i prodhojnë ato.

“Nëse duam të ndryshojmë zakonet e lidhura me duhanin, duket të përdorim masat klasike, si ngritjen e çmimit përmes taksave, reklamat, të mos ta bëjmë aq të disponueshëm dhe nga përvoja në Australi dhe Zelandën e Re, ne e dimë që mund të arrijmë nivele që janë sa një e katërta e tyre në Britani, edhe pa përdorur një teknologji, efektet e së cilës nuk janë komplet të njohura dhe me rrezim serioz të rinormalizimit të imazhit të pirjes së cigares”.

Rekomandimet e reja, jo vetëm që nuk i kanë dhënë fund argumentit për cigaret elektronike por e kanë ndezur edhe më shumë debatin.

XS
SM
MD
LG