Lidhje

SHBA, Banka Qendrore ndërpret blerjen e bonove


Rezerva Federale e SHBA-së njoftoi se këtë javë do t’i japë fund programit të blerjes së bonove, por po ashtu i siguroi investuesit se niveli i interesave afatshkurtra do të vazhdojë të mbetet pranë zeros për një periudhë kohore. Njoftimi është bërë në një moment kur ka shqetësim në rritje për ekonominë botërore dhe paqëndrueshmërinë e tregut.

Është fundi i një epoke ekonomike, i një eksperimenti me vlerë 1,6 trilionë dollarësh, që për 37 muaj synoi një nxitje të ekonomisë amerikane dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Këtë vendim Rezerva Federale e mori pas një takimi dy-ditor, dhe ekonomistët thonë se programi i deritanishëm i ndihmoi konsumatorët dhe bizneset duke u ofruar kapital të lirë përmes një niveli të ulët historik të interesave. Vendimi është një çertifikim i përmirësimit të ekonomisë amerikane, thotë drejtori i investimeve në firmën “Commonwealth Financial”, Brad McMillan:

“Është hera e parë që Rezerva Federale shprehet qartë se po përgatitet për një rritje më të shpejtë të ekonomisë në krahasim me sa kemi parë në të kaluarën. Ata po thonë se ekonomia është përmirësuar ndjeshëm dhe po marrin masat përkatëse për këtë. Mendoj se është një hap domethënës përpara.”

Por në bursë, në Wall Street, reagimi ishte më pak entuziast. Indekset kryesore përjetuan rënie të lehta, pasi investuesit ende po peshojnë vendimin e Rezervës Federale që pritet të çojë në rritje të nivelit të interesave.

“Mendoj se deklarata ishte pak më e fortë se sa pritej, që do të thotë se ekonomia po ecën mirë dhe se tani Banka do të fillojë të përqëndrohet në rritjen e interesave”, thotë Greg McBride, i firmës “Bankrate.com”.

Shumica e analistëve nuk mendojnë se rritja e interesave do të ndodhë deri në mesin e vitit tjetër. Më pak i qartë është ndikimi mbi ekonominë globale, ndërkohë që banka qendore amerikane do të fillojë të frenojë stimulimin monetar. Duke folur nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, investitori i njohur Mohammed El-Erian i tha Zërit të Amerikës se do të ketë më shumë paqëndrueshmëri, në veçanti në tregjet e huaja:

“Po zhvendosemi nga një botë me politika bankare qendrore të njëjtësuara, drejt politikave me trajektore të ndryshme. Në të kalurën, të gjithë bënin të njëjtën gjë, por në përmasa të ndryshme. Tani kemi dy banka qendrore, Bankën e Anglisë dhe atë të Shteteve të Bashkuara, që po tërhiqen nga politikat stimuluese, dhe dy banka të tjera, si Banka Qendrore Evropiane dhe Banka e Japonisë që po nxisisn politikat stimuluese.”

Ekspertët thonë se rritja e interesave mund të sjellë rritjen e investimeve në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar ndërkohë ulje të mëtejshme të ritmit të rritjes së ekonomive në vendet zhvillim. Por, nga ana tjetër, forcimi i dollarit mund edhe t’i bëjë më të shtrenjta eksportet amerikane.

XS
SM
MD
LG