Lidhje

Thatësira në Shtetet e Bashkuara


Katërmbëdhjetë vite thatësire janë duke tharë një burim kyç të ujit të pijshëm për Los Angeles, Las Vegas dhe miliona hektarë toke bujqësore në Shtetet e Bashkuara. Liqeni Mead furnizon me ujë pjesën e thatë jugperëndimore të SHBA-së. Por liqeni, si dhe lumenjtë që e furnizojnë atë kanë arritur në kufijtë e kapacitetit të tyre furnizues. Ekspertët madje paralajmërojnë për një thatësirë edhe më të madhe në ardhmen

Shumë pranë Las Vegasit, liqeni Mead është një pikë popullore për peshkim dhe shëtitje me varka.

Eksploruesi Mat Baroudi dhe djali i tij, Jet, vijnë këtu me rastin më të parë që gjejnë për të peshkuar. Ata shprehen se do vazhdojnë të vijnë për peshkim dhe madje janë konkurentë të fortë.

Por, gjatë pak viteve të fundit, ata kanë vënë re se si liqeni vazhdon të zbrazet më tej.

“Vetëm duke ardhur këtu me varkë, e kuptojmë ndryshimin. Sa herë vijmë, diçka ka ndryshuar. Një tjetër bimësi shkëmbore ka dalë në sipërfaqe.”

Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur inxhinerët krijuan liqenin në vitet 1930-të duke bllokuar rrjedhën e paqendrueshme të lumit Kolorado.

“Lumi kalonte përmes shtatë shteteve më të mëdha të perëndimit; e vazhdonte rrjedhën e tij drejt jugut dhe Gjirit të Kalifornisë, duke përmbytur herë pas here qytete dhe rajone bujqësore.”

Prandaj u ndërtua diga Hoover, për të kontrolluar këto përmbytje, për të mbledhur ujë për qytetet dhe fermat, dhe për të prodhuar mijëra megavatë elektriciteti.

“Rezervuari i krijuar pas digës u quajt Liqeni Mead.”

Por, me kalimin e viteve, niveli i liqenit ka rënë së tepërmi. Një unazë e bardhë shënon nivelin ku ka qenë uji dikur. Kjo nënkupton probleme për të tërë.

Arsyeja është se uji nga Liqeni Mead është shndërruar në vijën e jetës për pjesën më të madhe të shkretëtirës jugperëndimore, thotë Pat Mulroy, i Institutit të Maleve Perëndimore Brookings.

“Janë disa prej qyteteve më të mëdha të perëndimit të Amerikës, që janë shumë të ndërvarur nga ky furnizim me ujë. Janë gjithashtu edhe disa nga zonat me prodhimtarinë më të lartë bujqësore. Kemi edhe detyrimin për të furnizuar me ujë Meksikën. Dua të them që ky është një sistem që nuk mund të lejohet të dështojë.”

Por, qytetet dhe fermat janë duke marrë më shumë ujë nga lumi Kolorado se sa është niveli i furnizimit. Dhe 14 vjet thatësire e kanë shtyrë sistemin më pranë shkatërrimit se sa kurrë më parë.

Kapaciteti i plotë i Liqenit Mead është në 372 metra mbi nivelin e detit. Në këto momente është në nivelin 329 metra. Në nivelin 320 metra, prodhimi i hidro-energjisë është në rrezik. Furnizimi me ujë për Las Vegasin mpaket në nivelin 305, dhe ndalon krejtësisht nëse arrihet niveli 273 metra.

Hulumtuesja Debra Knopman e “Rand Corporation” thotë se thatësira që e ka ulur liqenin deri këtu, mund të përkeqësohet edhe më tej.

“Zona ka përjetuar thatësira të zgjatura, madje shumë më të zgjatura se thatësira që po përjetojmë tani. Këto thatësira mund të vazhdojnë në fakt për dekada të tëra.”

Me ndryshimet klimatike priten thatësira edhe më ekstreme. Ky nuk do të jetë sidoqoftë fundi i shkretëtirës jugperëndimore.

“Jo, nuk është se u ka ardhur fundi. Por, u duhet të veprojnë. Për shumë prej këtyre veprimeve do të duhen vite.”

Znj. Knopman është bashkëautore e një raporti që jep një sërë opsionesh për të imunizuar më shumë përfituesit nga lumi, për përdorim më efikas shtëpiak, e deri në transferim masiv nga lumenj të tjerë.

Të gjitha këto do të kushtojnë miliarda dollarë dhe vite të tëra për t’u zbatuar. Dhe asnjë prej këtyre alternativave nuk do të eliminojë plotësisht rrezikun e furnizimit të pamjaftueshëm me ujë.

Miliona njerëzve të ndërvarur nga Lumi Kolorado do t’u duhet të vendosin se sa vlen për ta jeta në shkretëtirë.

XS
SM
MD
LG