Lidhje

25 vjetori i rënies së Murit të Berlinit


Të djelën mbushen 25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, një ngjarje e cila çoi në rënien e Bashkimit Sovjetik. Në Gjermani janë në plan në mbahen të dielën festime të mëdha nëpër rrugë, por në Rusi kjo ngjarje po pritet në heshtje. Në kushtet kur tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit janë më të lartat qysh nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, ky përvjetor merr një rëndësi të veçantë.

Në kopështin e Qendrës Sakharov në Moskë ndodhet një copë e Murit të Berlinit, e vendosur në mënyrë simbolike ashtu siç ishte në momentin kur u rrëzua muri 25 vjet më parë. Natalia Samover punon në qendër.

“Ajo përfaqëson bukurinë e jashtëzakonshme të lirisë. Një kujtesë se liria do të thotë gjithashtu një përgjegjësi për popullin. Ne e kuptuam disi me vonësë këtë.”

25-vjetori është bërë shkas për reflektim nga të dyja anët e ish “Perdes së Hekurt”. Yury Pivovarov i Akademisë Ruse të Shkencave në Moskë thotë se rusët e panë rënien e Murit të Berlinit në dy mënyra.

“Në njërën anë, ishte euforia e Perestrojkës dhe shpresa të jashtëzakonshme për reformat demokratike të Gorbachovit. Nga ana tjetër, një pjesë e popullsisë, pro komuniste, i erdhi shumë keq. Për ata ky ishte një sinjal se Bashkimi Sovjetik mund të binte, pra pikërisht ajo që ndodhi. “

Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar njëherë rënien e Bashkimit Sovjetik, si “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të”.

Por ka një dallim në mendimin e rusëve modernë, thotë Dmitri Trenin, drejtor i Qendrës Carnegie të Moskës.

“Rënia e Bashkimit Sovjetik, ndryshe nga rënia e komunizmit-janë dy gjëra të ndryshme. Rënia e Bashkimit Sovjetik shihej si një katastrofë nga shumë njerëz. Nuk ishte fjala vetëm për rënien e perandorisë, por e gjithshkaje: rendit, e shtetit social, e mënyrës së jetesës.”

Anketat tregojnë se mbështetja për Presidentin Putin është rritur në

85 për qind, që nga aneksimi me forcë i Krimesë nga Moska në mars dhe ndërhyrja në Ukrainën lindore për mbështetjen e separatistëve pro-rusë.

Në këto kushte, marrëdhëniet e sotme mes Lindjes dhe Perëndimit të rikujtojnë ato të para 25 vjetëve, thotë Yury Pivovarov.

“Si metaforë, është e drejtë të thuhet se ngjarjet e tanishme dhe politikat e Kremlinit po çojnë tek kthimi i Murit të Berlinit. Por ky mur po ndërtohet në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe jo në Gjermani. Tani, Rusia është duke përjetuar periudhën më të rrezikshme të historisë së vet, që nga rënia e Murit të Berlinit.”

Në Ambasadën gjermane në Mosksë është hapur një ekspozitë fotografike për Murin e Berlinit. Mes artistëve pjesëmarrës është Dmitry Vrubel, i cili ka vizatuar një nga muralet më të famshme mbi mur, të titulluar “O zot, më ndihmo t’i mbijetoj kësaj dashurie të tmerrshme”.

“Në 25 vitet e fundit, në mendjen e njerëzve, në historinë njerëzore dhe në politikë, ky mur është zëvendësuar nga një mur krejt i ri. Për Evropën, Muri i Berlinit nuk ka rreshtur së qeni një simbol domethënës, një mur simbolik që ndan të dy botët.”

Një çerek shekulli pasi Muri i Berlinit u shndërrua në rrënoja, barrierat mes fuqive rivale duket se janë duke u fuqizuar.

XS
SM
MD
LG