Lidhje

Obama dhe republikanët zotohen për gjetjen e një pike të përbashkët


Në Shtëpinë e Bardhë një ditë pas humbjes së zgjedhjeve të mesmandatit, Presidenti Obama tha se është i hapur të punojë me një shumicë republikane në Kongres.

“Populli amerikan dërgoi një mesazh, një mesazh që e kanë dërguar në disa zgjedhje. Ata presin që njerëzit e zgjedhur të punojnë aq shumë sa ata. Ata presin që ne të përqëndrohemi në ambicjet e tyre dhe jo tonat.”

Republikanët fituan shumicën në senat të martën, duke parashtruar që republikani i Kentakit Mitch McConnell të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i shumicës në senat.

“Kur populli amerikan zgjedh një qeveri të ndarë, nuk mendoj se nënkupton që ata duan që ne të mos bëjmë asgjë. Mendoj se kjo do të thotë se ata duan që ne të shohim mundësitë për marrëveshje.”

Mes fytyrave të reja republikane në Senat është Joni Ernst nga Iowa.

“Duke punuar së bashku, ashtu ndërtohet Amerika.”

Votuesja në Iowa Alberta Sweat ishte mes atyre që kërkojnë ndryshim.

“Dua që dikush të shkojë atje me shpresë për të rregulluar punët. ”

Rezultatet e së martës ishin një sprapsje e madhe politike për Presidentin Obama, thotë analisti Ron Fournier.

“Këto nuk ishin thjesht zgjedhje kundër Obamës. Nuk ishin zgjedhje kundër demokratëve. Ato ishin zgjedhje kundër çdo gjëje.”

Dhe rezultatet mund të parashtrojnë një ngërç më të madh politik në Uashington.

“Kam frikë se po shkojmë drejt një ngërçi më të madh dhe këto rezultatet nuk kanë rëndësi pasi votuesit ishin të qartë se nuk besojnë asnjë parti dhe nuk mendojnë se asnjëra prej tyre nuk ka në mend interesat e votuesve.”

Do të ketë gjithashtu trysni mbi udhëheqësit republikan McConnell për të bërë më shumë sesa thjesht të bllokojë axhendën e presidentit, thotë strategu republikan Ford O’Connell.

“Ajo që duhet të bëjnë të paktën gjashtë muajt e parë është të tregojnë se mund të çojnë legjislacione për firmë në tavolinën e presidentit. Edhe në se ai nuk është dakort me legjislacionin, ata duhet të tregojnë se mund ta bëjnë qeverinë funksionale..”

Fitorja e republikanëve të martën do të ndikojë gjithashtu mbi trashëgiminë politike të presidentit Obama, e cila filloi me aq shpresë kur ai u zgjodh për here të parë, thotë autori Aaron David Miller.

“Barack Obama nuk është inkompetenti katastrofë sië duan ta përshkruajnë disa. Por nuk është as çliruesi apo shpëtimtari siç duan ta quajnë përkrahësit e tij.”

Si do të përgjigjet zoti Obama ndaj realitetit të ri politik mund të përcaktojë jo vetëm dy vjetët e fundit të tij në zyrë por edhe sesi do të gjykohet ai nga historia.

XS
SM
MD
LG