Lidhje

Presidenti Obama komenton për Iranin


Presidenti Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e grupit P5 + 1 i kanë dorëzuar Iranit një projekt-marrëveshje bërthamore, por se do të duhen javë përpara se të dihet nëse do të arrihet një marrëveshje. Takimet ndërmjet diplomatëve të lartë të të dyja vendeve nuk kanë arritur rezultat në këtë drejtim.

“Ka një pjesë të konsiderueshme të elitës politike në Iran që vazhdon të ushtrojë anti-amerikanizëm dhe ndërkohë fajësojnë Amerikën për çdo të keqe që ekziston. Nëse do të munden t’i thonë ‘po’ asaj që do të ishte më mirë për Iranin, për rajonin dhe për botën, mbetet një pikëpyetje e hapur. Do ta marrim vesh në javët në vazhdim.”

Zoti Obama u shpreh gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se marrëveshja do ta lejonte Iranin të plotësojë nevojat e tij të energjisë, dhe të pakësonte sanksionet ndaj vendit.

Por, ai u shpreh se ka një traditë të gjatë mosbesimi ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Takimet ndërmjet diplomatëve të lartë të të dyja vendeve nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërkohë që Irani dhe grupi i quajtur P5 + 1 (pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania) po i afrohen afatit të 24 nëntorit për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore.

Sekretari i Shtetit John Kerry mendon se afati nuk do të shtyhet.

“Nuk po shqyrtojmë një shtyrje. Nëse do të gjendemi fare pranë gjetjes së një zgjidhjeje, atëherë ndoshta po, por do të varet gjithçka nga çfarë do të ketë mbetur për t’u bërë. Nëse do të ngelen varur çështje të mëdha që janë thelbësore, atëherë nuk mendoj se do të ketë shtyrje.”

Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, do të takohet të dielën në Oman me ministrin e jashtëm iranian dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Irani ka premtuar të ulë ritmin e programit të tij bërthamor në shkëmbim të dhënies fund të sanksioneve.

Iranin mohon të ketë synim krijimin e një bombe bërthamore dhe këmbëngul se program i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore civile.

XS
SM
MD
LG