Lidhje

Muri i Berlinit dhe Lufta e Ftohtë


Pjesa dërrmuese e analistëve dhe historianëve pajtohen se ish udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev luajti një rol të pashembullt në ngjarjet që çuan në rënien e Murit të Berlinit dhe më pas. Politikat e tij të “perestroikës” ristrukturimi dhe “glasnost” ose hapja, i shtruan rrugën shkrirjes së fuqisë komuniste në Evropën Lindore dhe përfundimisht çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Robert Legvol në Universitetin Columbia thotë se një faktor kyç ishte vendimi i Gorbachev-it se nuk do të përdorte forcën për të shtypur aspiratat reformatore në Evropën Lindore.

“Gjithnjë e më tepër, ai ja bëri të qartë evropiano-lindorëve se Bashkimi Sovjetik nuk do të bënte siç kishte vepruar shumë herë më parë në vitin 1953 në Berlin, më 1956 në Hungari e Poloni, më 1968 në Republikën Çeke etj.”

Në korrik 1989, e ështëquajtura “Doktrina Brezhnev” u zëvendësua nga ajo që një nga këshilltarët e Gorbachev-it e përshkruan si “Doktrina Sinatra” bazuar në këngën e famshme së Sinatrës My Way... Me fjalë të tjera, këshilltari tha se vendet e Evropës Lindore ishin tani në gjendje të ecnin në rrugën e tyre - politikisht dhe ekonomikisht.

Në fillim të tetorit, Gorbachevi shënoi 40 vjetorin e Gjermanisë Lindore, duke marrë pjesë në festime në Berlinin lindor.

Sergeu Schmeman, ish korrespondent në Moskë dhe Berlin për gazetën The New York Times, thotë se Gorbachevi u tregua i ashpër me udhëheqësit e Gjermanisë Lindore, ndërsa dhjetëra mijëra gjemanë marshonin me qirinj në rrugët e qytetit.

“Një marshim gjigand në Berlin dhe në atë kohë Gorbachevi ja bëri të qartë udhëheqësit të Gjermanisë Lindore Erich Honecker, se nuk do ta mbështeste dhe nëse nuk do të kishte kujdes, do ta dënonte historia. Kështu që mesazhi nga Gorbachevi nuk ishte vetëm simbolik, ishte i qartë ...Ata po u thonin Evropiano-Lindorëve se ne nuk do t'ju ngasim.....një veprim shumë i lartë.”

Disa javë më vonë, Honeckeri u zhduk. Një muaj pas vizitës së Gorbachevit, Muri i Berlinit ra. Robert Legvold thotë se rënia e Murit të Berlinit përshpejtoi rënien e regjimit të Partisë Komuniste në mbarë Evropën Lindore, rënie që filloi në Poloni në qershor me fitorën e madhe të lëvizjes Solidarnost për zgjedhje të lira.

“Ndodhi si një ujëvarë dhe ndodhi si efekti domino, fillimisht Polonia, pastaj Gjermania Lindore, pastaj Çekosllovakia dhe Hungaria dhe përfundimisht Bullgaria dhe Rumania.”

Sergei Schmemann thotë se ajo që ndodhi në Rumani dhjetorin e 1989s ishte shumë e dhunëshme.

“Rumania ishte i vetmi vend ku pati shkëmbime zjarri dhe humbën jetën rreth 1 mijë veta në Timishoara dhe gjetkë. Diktatori Nikolai Ceausescu dhe gruaja e tij u egzekutuan pas një veprimi të nxituar që kaloi për gjykim.”

Zoti Legvold dhe të tjerë thonë se rënia e Murit të Berlinit shënoi fundin e Luftës së Ftohtë.

"Baza institucionale për Luftën e Ftohtë, që ishte përqendruar në Evropë, u zhduk si rezultat i rënies së Paktit të Varshavës si aleanca kundershtare, aleanca ushtarake kundër NATO-s. Kjo nënkuptonte se fuqia ushtarake sovjetike në Evropën Lindore dhe në kufi me Gjermaninë Perëndimore po tërhiqej. Për arsye institucionale dhe konceptuale, ky ishte fundi i Luftës së Ftohtë.”

Sergei Schmemann thotë se rënia e Murit të Berlinit ka patur një ndikim të thellë në marrëdhëniet Amerikano-Ruse.

“Ndryshoi hartën e mbarë botës. Dhe ndryshoi kryesisht psikologjinë tonë. Ne u rritëm me psikologjinë e Luftës së Ftohtë ku ishin të mirët përballë të këqinjve. Ishin ata dhe ne.”

Historiani britanik Frederic Taylor thotë se rënia e Murit të Berlinit pati një ndikim psikologjik negativ tek rusët dhe kryesisht tek elita. Ai merr si shembulll presidenin rus Vladimir Putin.

“Putini ka qënë oficer i KGB-së në Dresden të Gjermanisë Lindore kur ra muri dhe ishte i njohur në atë qytet. Ai e përjetoi vetë këtë duke kaluar nga një pushtues, pra nga një njeri që shihej me respekt dhe frikë në atë shtet satelit, në një njeri që nuk kishte më ndikim në atë që po ndodhte në Gjermaninë Lindore. Shumë njerëz u ndjenë si ai, të poshtëruar dhe humbës.”

Historianët thonë se kthimi i Rusisë në statusin e mëparshëm të superfuqisë ka qënë një element kyç në politikën e jashtëme të Putinit. Zoti Taylor thotë se rënia e murit ka patur një tjetër pasojë të paparishikuar.

“Mbarimi i Luftës së Ftohtë bëri të shfaqeshin gjithë këta përbindësha, e kam fjalën terrorizmin islamik dhe gjëra të tjera që dalin në sipërfaqe pasi shkrin akulli. Sot kemi një botë shumë më të hapur. Por ajo botë e ngrirë e kontrolluar nga dy blloqe të fuqishme, nëse nuk ishe në vijën ndarëse, ishte shujmë më e sigurtë për të jetuar. Ndërsa tani, gjithçka mund të ndodhë.”

Dhe siç thotë zoti Taylor, zakonisht ndodh.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG