Lidhje

Kongresi dhe politikat amerikane ndaj Rusisë


Administrata Obama thotë se sanksionet kundër atyre që mbështesin separatistët në Ukrainën lindore po ndjehen në ekonominë ruse. Por republikanët që kanë siguruar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit po bëjnë thirrje për ndihma ushtarake më konkrete për qeverinë e Kievit. Korrespondenti Scott Stearns analizon se si mund të ndikojë fitorja e republikanëve në Kongres tek politikat amerikane ndaj krizës në Ukrainë.

Forcat ukrainase që luftojnë me separatistët pro-rusë shpresojnë të sigurojnë mbështetje më të madhe nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Presidenti rus Vladimir Putin mund ta shikojë këtë fazë si një periudhë dobësimi për pozitat e Presidentit Obama, pas humbjes në zgjedhje, thotë analisti Robert Manning:

“Në Ukrainë e kemi parë se Presidenti Putin është përpjekur të forcojë pozitat në pjesën lindore, në rajonin separatist të Donetskut dhe tani mund të marrë guxim më tepër”.

Presidenti Putin nuk dëgjoi shumë kritika lidhur me Ukrainën në një takim të udhëheqësve të Azi-Paqësorit në Pekin, pjesërisht si rezultat i asaj që ish-këshilltari i zotit Putin, Andrei Illarianov e quan “pauzë taktike” në ofensivën ruse.

“Pjesërisht kjo është rezultat i zgjedhjeve për Kongresin amerikan dhe pjesërisht i vizitës së zotit Putin në Azi. Ndoshta menduan se acarimi i konfliktit do të krijonte një atmosferë negative gjatë takimeve të presidentit rus me udhëheqës ndërkombëtarë. Acarimet do të ndodhin më pas”.

Senatori republikan John McCain, i cili do të kryesojë Komisionin për Shërbimet e Armatosura, ka kërkuar nga Presidenti Obama një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës.

Por kjo situatë mund ta ndihmojë presidentin, thotë profesori i Universitetit Amerikan Keith Darden:

“Në një farë mënyre kjo situatë i jep më shumë dorë presidentit kundrejt rusëve, megjithatë gjithmonë ekziston rreziku që Kongresi të mbajë një qëndrim krejt tjetër”.

Eric Rubin është Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane. Ai thotë se ekziston një konsensus dypartiak për qëndrimin lidhur me krizën në Ukrainë.

“Pyetja kryesore është nëse Ukraina ka nevojë për ndihmë për të rindërtuar infrastrukturën ushtarake dhe të sigurisë kombëtare. Fakti është që ka nevojë dhe ne jemi të angazhuar ta ndihmojmë. Do të bëjmë më shumë. Aktualisht debati është përqëndruar në formën që do të marrë kjo mbështetje”.

Në këto diskutime, zgjedhja e udhëheqësve të rinj në rajonet separatiste të Ukrainës mund të shtyjë republikanët në Kongres të kërkojnë masa më të forta nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë furnizime me armë.

“Nëse Kongresi vendos të merret me këtë çështje, jo vetëm që masat do të jenë më të rrepta, duke përfshirë edhe mbështetje ushtarake dhe ekonomike, por mund të ketë sanksione më të forta kundër Rusisë”.

Vendosja e sanksioneve të reja do të diskutohet në takimin e Bashkimit Evropian javën e ardhshme në Bruksel, thotë Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

“Do të zhvillohet një diskutim, por jo thjesht për forcimin e sanksioneve, por mbi të gjitha për mënyrat si mund të ndihmojmë Ukrainën në këto kohë të vështira që po kërcënojnë sigurinë e saj”.

Aktualisht janë rritur shqetësimet si rezultat i shtimit të përforcimeve në kufirin rus. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier paralajmëron se këto zhvillime nuk duhet të lejohet të çojnë në konfrontime të dhunshme.

XS
SM
MD
LG