Lidhje

Politikat e çmimit të naftës


Çmimi global i naftës ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke ofruar përfitim për konsumatorët dhe duke ushtruar një trysni ekonomike ndaj vendeve eksportuese, ndër to edhe dy vende që kanë mosmarrëveshje me Perëndimin. Por, siç njofton nga Londra korrespondenti Al Pessin i Zërit të Amerikës, impakti mbi Iranin dhe Rusinë ndoshta nuk do të jetë aq i madh sa ç’mendohet.

Që nga fundi i muajit qershor, çmimi i naftës ka rënë nga rreth 115 dollarë për fuçi, në nivelin 77 dollarë për fuçi; një rënie pra me më shumë se një e treta.

Çmimi ka rënë për shkak të shtimit të prodhimit në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, si dhe rënies së kërkesës për shkak të problemeve të vazhdueshme ekonomike në Evropë dhe në vendet në zhvillim.

“Në pamje të parë, duket si një katastrofë për shumë vende eksportuese”, thotë Pierre Noel i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Ai ndjek çështjet e energjisë nga zyra e institutit në Singapor dhe u shpreh nëpërmjet Skype:

“Kur këto vende ballafaqohen me një rënie të konsiderueshme të çmimit të naftës, ato veprojnë me dy mënyra. Nga njëra anë, ulin shpenzimet qeveritare, dhe nga ana tjetër, shtojnë defiçitin buxhetor.”

Ato ndoshta edhe do të përpiqen të lehtësojnë sanksionet e vendosura ndaj tyre. I tillë mund të jetë rasti i Rusisë në mosmarrëveshjen e saj me Perëndimin për pushtimin e Krimesë dhe përfshirjen në Ukrainën lindore, thotë Alastair McCaig e firmës së investimeve IG, në Londër.

“Kjo ua shton presionin që po ndiejnë aktualisht, dhe ndoshta do të thotë që mund të ndjejnë nevojën të veprojnë duke ulur tensionet e lidhura me sanksionet.”

Por, efekti mund të mos jetë vendimtar, mendon Pierre Noel.

“Nuk mendoj se situata e tregut të naftës do të ndryshojë objektivat strategjike të Rusisë në Ukrainë, që synojnë të pengojnë Ukrainën të anëtarësohet në NATO. Por, rënia e çmimeve të naftës duhet logjikisht ta zhvendosë Rusinë drejt një qëndrimi më elastik.”

Po kështu, rënia e çmimit global të naftës po dëmton Iranin ndërkohë që është duke përjetuar vështirësi të konsiderueshme dhe të zgjatura ekonomike për shkak të sanksioneve globale të vendosura në lidhje me programin e tij bërthamor. Por, Alastair McCaig thotë se udhëheqësit iranianë ndoshta nuk po shqetësohen shumë.

Është sigurisht një presion, por një lloj presioni që ndoshta do të jetë afatshkurtër. Për shembull, nëse do të ketë shenja përmirësimi në Eurozonë, ose nëse SHBA dhe Britania ruajnë ritmin e tyre të përmirësimit, atëherë mund të shohim që kërkesa do të rritet dhe një vend si Irani do mundet t’ia hedhë kësaj situate pak më lehtë.”

Por, kjo do të kërkojë kohë. Deri atëherë, Iranit dhe Rusisë do t’u duhet të balancojnë pasojat e sanksioneve dhe të çmimeve të ulura të naftës, me objektivat e tyre të politikës së jashtme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG