Lidhje

Marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe


Tirana

Tirana

Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim zhvilloi një konferencë shkencore me studiues nga Kosova dhe Serbia për marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe integrimin europian. Ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin, theksoi se integrimi do t ë vijë nga bashkëpunimi me BE-në dhe me njëri-tjetrin.

Tre qendra studimore nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia zhvilluan në Tiranë një konferencë mbi marrëdhëniet shqiptaro - serbe dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Europian. Qendra e Kosovës Për studime të sigurisë, Instituti i Shqipërisë për Demokraci dhe Ndërmjetësim si dhe Qendra e Beogradit për studime të sigurisë bashkuan studiues nga të tre vendet, që diskutuan mbi rrugët e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin perëndimor, si një nga kushtet kryesore për arritjen e qëndrueshmërisë, zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimin në BE.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha se vendet e Ballkanit nuk mund të qëndrojnë gjithmonë përballë si kundërshtarë dhe të krijojnë konflikte, rajoni nuk duhet të bjerë në rrethin vizioz të frikës e mosbesimit, por duhet të bashkëpunojë. Sipas saj, çështja e parë është kultura politike; kompromisi dhe zemrëgjerësia janë të pakta, gadishmëria dhe bujaria mungojnë sa vendet janë kaq afër, por duket se janë mjaft larg dhe të palidhur.

“Kjo është përgjegjësi e drejtuesve politikë, - thotë ambasadorja Vlahutin - sepse paragjykimet janë abstrakte sa u takon sfidave të sigurisë që kërkon Europa, por ato në fakt problemet janë shumë konkrete: krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi janë çështje ndërshtetërore, që duhen luftuar së bashku”.

Sipas saj, vendet fqinje duhet të gjejnë kurajo dhe të nisin miqësi, mirëkuptim, e këto duhet t'i nisin udhëheqësit politikë, mediatikë, dhe tregtarë, sepse këta udhëheqin opinionin publik. “Personalisht mendoj që vizita e kryeministri Rama në Beorgad ishte shumë e rëndësishme - tha zonja Vlahutin. - Bashkimi Europian kërkon bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore, mirëkuptim dhe bashkëpunim. Vendet e ballkanit perëndimor i kanë të gjitha mundësitë për t'i realizuar këto. Dera për antarësim është e hapur dhe nuk ka kohë për të humbur”.

Analisti serb, Dusan Janjiç, tha në konferencë se pavarësisht nga pesha e ngjarjeve të rënda të historisë, vendet e Ballkanit i kanë të gjitha mundësitë të bashkëpunojnë, sipas modelit të shteteve të Benelux-it, pa cënuar sovranitetin, por duke u mbështetur në elemente si energjia dhe infrastruktura. “Ishte vërtet e rëndësishme vizita e kryeministrit Rama në Beograd - tha analisti Janjiç. - Zoti Rama vërtet theu akujt dhe hapi një faqe të re në kapitullin diplomatik midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ajo vizitë do të sjellë fryte dhe bashkëpunim”. Sipas tij, marrëdhëniet shqiptaro - serbe zhvillohen në fushën kulturore, shtetërore dhe kombëtare. “Këto marrëdhënie kanë të njëjtën rëndësi si ato gjermano-franceze për krijimin e BE-së tha analisti serb Janjiç. Përballë luftërave dhe krimeve duhen vendosur zhvillimi dhe toleranca” - tha zoti Janjiç.

Studiuesit shqiptarë mendojnë se kryefjala e integrimit është bashkëpunimi dhe ky është projekti i vetëm i rajonit. Drejtuesi i Shoqatës së Atlantistëve Shqiptarë Arjan Starova, thotë se megjithë problemet fqinjësore në Ballkan, zhvillimet janë optimiste. “Bashkëpunimi në rajon është një shans i madh që u ka ardhur të gjithëve, -tha zoti Starova - dhe një rol të rëndësishëm kanë edhe udhëheqësit politikë”.

Organizatorët e konferencës vlerësuan se procesi i stabilizim-asocimit rriti bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit perëndimor për t'u integruar në BE, por marrëdhëniet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë mbetën të pazhvilluara për shkak të ngjarjeve historike dhe mosbesimit dypalësh.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG