Lidhje

Reforma në Drejtësi, Nishani: Eshtë në ngërc


Presidenti kritikon ecurinë e reformës: “Nuk avancohet reforma në drejtësi duke përsëritur të njëjtat teza e qëndrime të përgjithshme”. Prezantohet misioni europian i asistencës Euralius IV

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani foli sot me nota kritike ndaj reformës në Drejtësi e cila nuk po përparon e duket se ka hyrë në një rreth vicioz, tha presidenti, i cili në fillim të muajit tetor organizoi një takim të posacëm për nisjen e kësaj reforme.

"Me keqardhje po konstatoj se procesi është ende në ngërç, dhe se takimet që pasuan atë të 6 tetorit nuk po godasin në shenjë. Nuk avancohet reforma në drejtësi duke përsëritur të njëjtat teza e qëndrime të përgjithshme, të gjithë në sulm ndaj sistemit. Nuk avancohet reforma me debate të personalizuara dhe pa alternativë, dhe as duke pretenduar pronësinë ekskluzive shqiptare të procesit pa demonstruar meritë e profesionalizëm objektiv. Nuk avancohet reforma pa një agjendë pune e prioritizim të çështjeve", u shpreh kreu i Shtetit.

Deklarimet e presidentit Nishani, ishin qartë një kritikë ndaj qeverisë, ndërsa ai bëri thirrje që puna të nisë sa më shpejt "duke përcaktuar përparësitë, objektivat për secilën prej përparësive dhe zbërthimin e tyre në akte konkrete ligjore me afate të qartë dhe buxhetet përkatëse". Edhe një herë zoti Nishani përsëriti se i gjithë procesi duhet të jetë i bashkërenduar me ekspertët ndërkombëtarë e në fund duhet të certifikohet nga Komisioni i Venecias.

Komentet e zotit Nishani u bënë gjatë ceremonisë për prezantimin e projektit Euralius IV, një mision i financuar me 4 milion euro, nga Bashkimi europian, e që ka për synim të mbështesë konsolidimin e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Euralius IV do të ketë në përbërje të tij ekspertë gjermanë dhe austriakë e do të zgjasë 30 muaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG