Lidhje

Kosova pas marrëveshjes PDK-LDK për bashkëqeverisje


PDK e LDK po diskutojnë ndarjen e pushtetit. Partitë tjera politike shqiptare e cilësojnë marrëveshjen e tyre të dëmshme për Kosovën.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se po punojnë në ndërtimin e institucioneve të reja pas marrëveshjes së të mërkurës mbrëma për formimin e koalicionit qeverisës, më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Marrëveshja në parim u arrit në një takim me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, ku mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson. Marrëveshja ndodhi vetëm pak kohë pasi që Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike vendosi me 74 vota për, 6 kundër e 4 të paanshme të hapë bisedimet me të gjitha partitë pa përjashtim për krijimin e institucioneve.

Tash për tash nuk është e qartë se si do të ndahet pushteti ndërmjet tyre, por Lidhja Demokratike e Kosovës theksoi në një komunikatë se “sipas marrëveshjes asaj do t’i takojë posti i kryeministrit të vendit, derisa ministritë do të ndahen në mënyrë të barabartë”.

Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, tha sot se ende po punohet për ndarjen e pushtetit ndërsa e vlerësoi të rëndësishme marrëveshjen e mbrëmshme.

Jemi vonuar, por është marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, e sinqertë, e respektit të ndërsjellë e bazuar në parime, kritere dhe standarde qeverisëse perëndimore të orientimit të qendrës së djathtë ndërpartiake si Parti Demokratike e Kosovës dhe Lidhje Demokratike e Kosovës. Do të ketë një përfshirje edhe të partive politike gjithë etnike që është e drejtë edhe me Kushtetutë por edhe zotim dhe vullnet i yni”, tha zoti Thaçi.

Marrëveshja u cilësua e dëmshme për vendin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat së bashku me Nismën për Kosovën dhe Lidhjen Demokratike qenë pajtuar dy ditë pas zgjedhjeve për krijimin e institucioneve me synimin për të lënë Partinë Demokratike në opozitë.

Por, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se posti i kryetarit të Parlamentit i takon Partisë Demokratike që doli e para në zgjedhje dhe ditë më parë, partitë e koalicionit pas zgjedhor thanë se do të heqin dorë nga pretendimi për këtë post dhe realisht, kjo shënoi edhe fundin e tij.

Kjo është hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës. Ato së bashku qeverisën vendin nga viti 2007 deri në vitin 2010 kur vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se përvoja e së kaluarës dëshmon që marrëveshja paraqet bashkim të dy modeleve të këqija qeverisëse.

“Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes janë dëshmuar si të dështuara. Më të këqijtë me më të ligët janë bërë bashkë dhe kjo nuk është në të mirë të Kosovës dhe të ardhmes së saj”, tha zoti Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i lëvizjes vetëvendosje Albin Kurti e kritikoi edhe më ashpër marrëveshjen.

Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t’i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfrit edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, SHIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë, Serbinë edhe më të pranishme”, tha zoti Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës, i cilësoi shqetësuese qëndrimet e këtyre partive, duke nënvizuar se kjo dëshmon që qëllimi i tyre duket se nuk është ndryshimi i qeverisjes, por dëmtimi i udhëheqësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sido qoftë, marrëveshja e së mërkurës pritet t’i jap fund bllokadës së gjatë politike që e vuri Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG