Lidhje

Mikro-organizmat e thellësive oqeanike


Metani është një gaz i fuqishëm ndotës për mjedisin. Megjithëse nuk qëndron në atmosferë aq gjatë sa dioksidi i karbonit, gjatë kohës së qëndrimit është 80 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Gazi metan çlirohet nga burime natyrore si moçalishtet, si dhe nga jashtëqitja e bagëtisë apo nga aktiviteti njerëzor, si për shembull nga rrjedhjet e tubacioneve të gazit natyror. Po ashtu ky element ekziston edhe në oqeane, në formën e rezervuarëve të ngrirë, por rrjedh nga brendësia e tokës përmes çarjeve në tabanin e oqeaneve. Vetëm një pjesë e vogël e kësaj sasie çlirohet në atmosferë, falë aktivitetit të mikro-organizmave në fund të detit që e konsumojnë këtë gaz.

Gjeo-biologia Victoria Orphan, pedagoge në Institutin e Kalifornisë për Teknologjinë studion aktivitetin e mikrobeve që jetojnë në shtresat sedimentare pranë çarjeve ku çlirohet gazi metan në thellësitë e oqeaneve. Ajo thotë se mikrobet kanë evoluar për të përballuar kushtet ekstreme të këtij mjedisi:

“Këto organizma janë në gjendje të thithin energjinë e metanit duke përdorur sulfatin që gjendet në ujin e oqeanit, pa përdorur oksigjenin e ujit, dhe si rezultat i këtij procesi çlirojnë hidro-sulfat, i cili mban erën e rëndë të vezës së zier. Një tjetër nënprodukt i këtij procesi është karbonati i kalciumit, i cili i ngjan shtresës së bardhë që përdoret për trotuaret”.

Me kalimin e kohës karbonati i kalciumit formon depozitime masive pranë çarjeve në tabanin e detit. Studiuesja ishte vetë me një mjet zhytës deri në 800 metra në thellësi të oqeanit.

Gjatë ekspeditave nga viti 2006-2011, ajo mori kampionë nga tabani i oqeanit dhe bëri zbulime interesante:

“Këto nuk janë thjesht nënprodukte të procesit të thithjes së gazit metan, por janë gjithashtu mjedise ku gjallojnë mikro-organizma të tjera, të cilat po ashtu konsumojnë metan”.

Por ajo vëreu se mikro-organizmat e shkëmbinjve të krijuar nga depozimi i karbonatit të kalciumit, konsumonin metan shumë më ngadalë se mikrobet që jetojnë në shtresat sedimentare.

“Por, po të kemi parasysh madhësinë e shkëmbinjve në tabanin e detit, këto mikro-organizma përbëjnë gjithsesi një faktor të konsiderueshëm për konsumin e gazit metan. Pra nuk kemi të bëjmë thjesht me procesin e krijimit të depozitave shkëmbore nga karbonati i kalciumit; ky është gjithashtu një proces gradual i eliminimit të gazit metan”.

Në një artikull në revistën Nature Communications, zonja Orphan thotë se gjallimi i këtyre mikro-organizmave si në shtresat sedimentare ashtu edhe në shkëmbinj, shpjegon se si krijesat mikroskopike reduktojnë çlirimin e gazit metan nga oqeanet në atmosferë. Po ashtu, shton ajo, shumëllojshmëria e krijesave përreth shkëmbinjve: krimba, gaforre dhe kafshë të tjera deti që ushqehen me mikrobet, lë të kuptohet se ky është një ekosistem dinamik, i panjohur më parë.

XS
SM
MD
LG