Lidhje

Pres. Obama mbron veprimet e tij për imigracionin


Presidenti amerikan Barack Obama tha sot në fjalimin e tij të përjavshëm se plani i tij për çështjen e imigracionit do të "nxjerrë më shumë emigrantë pa dokumente nga jeta në fshehtësi në mënyrë që ata të mund të respektojnë rregullat dhe ligjet.

Presidenti Obama tha në një tubim në Las Vegas se ai u detyrua të vepronte, pasi Dhoma e Përfaqësuesve nuk po miratonte legjislacionin mbi çështjen e imigracionit që më parë ishte miratuar nga Senati.

"Nuk keni nevojë të më kontaktoni mua për të miratuar një ligj. Miratoni një projekt-ligj. Veprimet që unë kam ndërmarrë janë vetëm një hap i parë i përkohshëm," tha presidenti Obama.

Presidenti Obama nënshkroi dy urdhra ekzekutivë të premten që do të nisin procesin e dhënies së lejeve të përkohshme të punës dhe do të heqin kërcënimin e dëbimit nga vendi për gati pesë milionë emigrantë pa dokumenta.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë zotuar se do të luftojnë masat e njëanshme të presidentit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, tha të premten se presidenti Obama “po dëmton presidencën” duke anashkaluar Kongresin me urdhërat e tij ekzekutive lidhur me çështjen e imigracionit. Zoti Bohner u zotua se republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve “nuk do të rrinë duarkryq” dhe do të luftojnë veprimet e njëanshme të presidentit.

Senati i kontrolluar nga demokratët një vit më parë miratoi një projekt-ligj për reformën në sistemin e imigracionit, i cili mori mbështetje nga të dyja partitë.

Pas fitores së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit që u zhvilluan këtë muaj, u bë më i pamundshëm miratimi i një ligji për reformimin e përgjithshëm të sistemit të imigracionit. Kongresi i ri fillon punën në muan janar.

XS
SM
MD
LG