Lidhje

Diskutime SHBA-Turqi për Sirinë


Nënpresidenti amerikan Joe Biden thotë se ka diskutuar me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për një tranzicion të mundshëm në Siri, që do të përfshinte largimin nga pushteti të Bashar al-Assadit.

Zoti Biden u tha gazetarëve sot se ai dhe zoti Erdogan e diskutuan këtë çështje gjatë një takimi katër orësh gjatë ditës së sotme. Ai tha se ata folën edhe për të marrë masa që ekstremistët e Shtetit Islamik të mos kenë mundësi të strehohen në Irak dhe Siri.

Në të kaluarën, zoti Erdogan ka këmbëngulur që nëse Shtetet e Bashkuara duan ndihmën e Turqisë, duhet të përqendrohen më pak tek lufta kundër Shtetit Islamik dhe më shumë tek përmbysja e regjimit të Assadit. Ai tha sot se Turqia do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe e quajti vizitën e zotit Biden “të rëndësishme”.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Turqinë të përballojë krizën humanitare të krijuar nga 1.6 milionë refugjatët sirianë që po mbushin kampet turke të refugjatëve.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të japin 135 milionë dollarë ndihmë shtesë për të ndihmuar Turqinë dhe vende të tjera që të kujdesen për refugjatët.

XS
SM
MD
LG