Lidhje

Maqedonia heton eksportet drejt Rusisë


Qeveria e Maqedonisë u ka kërkuar organeve hetimore dhe institucioneve përkatëse që të hetojnë nëse ka kompani të vendit që janë përfshirë në ri-eksportimin e mallrave nga Bashkimi Evropian drejt Rusisë. Në Shkup ka zëra se ekzistojnë kompani të tilla të cilat e shfrytëzojnë mundësinë që prodhimet bujqësore nga vendet e Bashkimit Evropian t’i dërgojnë në tregun rus pavarësisht bllokadës.

Në fakt, janë autoritetet ruse ato të cilat kanë kërkuar zbardhjen e çështjes, përmes një kërkese drejtuar autoriteteve në Shkup.

Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë, Bekim Neziri paralajmëron se do të ketë ndëshkime serioze për ato kompani nëse konfirmohet përfshirja e tyre në këtë ri-eksport drejt Rusisë.

Nga Qeveria në Shkup thonë se zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë filluar kontrollet në terren, por pa bërë të ditur hollësi të tjera.

Shërbimi rus për kontrollin e veterinarisë dhe atë sanitar ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që në një afat prej një jave të dërgojnë materiale për kontroll sistematik të të gjitha prodhimeve të eksportuara si dhe konkluzione mbi origjinalitetin e çertifikatave shoqëruese.

Maqedonia duhet të vërtetojë se frutat dhe perimet që i eksporton në Rusi janë prodhime maqedonase. Për shkak të dyshimeve të reja, Maqedonisë mund t’i ndalohet eksporti i prodhimeve ushqimore në tregun rus. Këmbimi i përgjithshëm i mallrave midis Maqedonisë dhe Rusisë në gjysmën e parë të vitit ka arritur në mbi 74 milionë dollarë. Maqedonia kryesisht eksporton verë, rrush dhe perime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG