Lidhje

Parlamenti i Kosovës mblidhet me tetë dhjetor


Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike janë pajtuar që më tetë dhjetor të mbledhin parlamentin për të zgjedhur kryesinë e tij dhe për të votuar qeverinë e re

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë duke përmbyllur procesin e ndarjes së pushtetit dhe tashmë janë duke përcaktuar postet ministrore dhe harmonizimin e programit qeverisës. Ato synojnë që përmbyllja e procesit të ndodhë në një seancë të parlamentit me datën tetë dhjetor për të zgjedhur udhëheqjen e tij e më pastaj të votohet edhe për qeverinë e re të vendit.

Vendimi i bë publik pasi që udhëheqësit e të dy partive u pritën në orët e pasdites nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për t’u njoftuar me përgatitjet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Tash për tash nuk janë dhënë hollësi rreth ndarjes së pushtetit ndërmjet dy partive.

Në Lidhjen Demokratike pohojnë se ajo do të udhëheqë qeverinë në bazë të marrëveshjes së arritur me Partinë Demokratike pak kohë pasi që posti i kryeministrit u bë shkas edhe i ndarjes së saj nga koalicioni pas zgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën për Kosovë dhe lëvizjen Vetëvendosje. Ato e kritikuan ashpër marrëveshjen për koalicionin e ri dhe veçanërisht Lidhjes Demokratike për prishjen e bllokut politik me to.

Të mërkurën në mbrëmje, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u pajtuan në parim që të formojnë institucionet e reja, gati gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Që atë natë diskutimet janë përqendruar rreth posteve kryesore dhe sipas vëzhguesve Partia Demokratike përveç postit të kryetarit të Parlamentit po kërkon edhe garanci për mbështetjen e Lidhjes Demokratike për postin e presidentit të Kosovës, një pozitë që duhet të plotësohet në pranverën e vitit 2016, kur edhe skadon mandati i presidentes Atifete Jahjaga.

Sido qoftë, marrëveshja e së mërkurës, do t’i jap fund bllokadës së gjatë politike që e vuri Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Kjo është hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës. Ato së bashku qeverisën vendin nga viti 2007 deri në vitin 2010 kur vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas përplasjeve ndërmjet të dy partive për shkak të procesit të privatizimit dhe dorëheqjes së presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Nëse gjerat shkojnë sipas planeve të deritashme, kjo do të shënojë herën e parë që Lidhja Demokratike do të merrte postin e kryeministrit që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG